MENU
klinika

BIRN: Krijoi skema mashtruese dhe pastroi paratë

Vendimi i Gjykatës për Francesco Becchetit dhe bashkëpunëtorët e tij!

23.02.2022 - 19:15

Biznesmeni italian Francesco Beccheti i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015 u dënua në Gjykatën e Tiranës për akuzat e mashtrimit e pastrimit të parave. Bashkë me të u dënuan e ëma Liliana Condimitti, ortaku Mouro de Renzis, financierja e kompanive Eriona Troplini dhe Stavri Peçi e Fetah Dervishi. Në total gjykata dha 49 vjet burg dhe 5 vite dënim me kusht.

Biznesmeni italian Francesco Beccheti, i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015 u dënua në Gjykatën e Tiranës të mërkurën për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, krijimit të skemave mashtruese, pastrimit të parave dhe falsifikimit me 17 vite burgim.

Trupa e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha me anëtar Sokol Pasho dhe Lazër Sallakun po ashtu vendosi dënimin e partnerëve të Becchetit Mouro de Renzis me 16 vjet burg, Eriona Troplinit me 8 vjet burg dhe nënës së tij Liliana Condimitti me 8 vjet burg. Dy persona të akuzuar për falsifikim të dokumenteve Stavri Peçin, Fetah Dervishin u dënuan përkatësisht me 2 dhe 3 vjet burg, por gjykata tha se dënimi i tyre konvertohej në dënim me kusht.

Akuzat ndaj biznesmenit italian Francesco Beccheti, i cili pati marrë një të drejtë koncesionare nga shteti shqiptar për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç në fund të viteve 90’, u bënë zyrtare në vitin 2015. Veç akuzave ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve prokuroria vuri në sekuestro edhe një sërë biznesesh përfshi televizionin “Agon Channel”. Çështja u bë pjesë e debatit politik në vend, pasi opozita akuzoi kryeministrin se po i mbyllte gojën një televizoni kritik. Prej vitit 2015 Beccheti vijoi në arrati një përballje me shtetin shqiptar dhe ka fituar në arbitrazh ndërkombëtar 110 milion euro dëmshpërblim, për prishjen e kontratave dhe sekuestron ndaj pasurive të tij.

Ndërkohë paralelisht me këtë proces prokuroria e Tiranës vijoi procedimin penal ndaj Becchettit dhe dërgoi në gjykatë dosjen kundër tij. Sipas dispozitivit të lexuar nga gjyqtari Hoxha, Beccheti dhe kompani të tjera në zotërim të tij dhe nënës së tij e personave të tjerë të akuzuar krijuan mosmarrëveshje fiktive civile. Kompania “Energji”, e zotëruar nga nëna dhe vjehrra e Becchetit pretendoi se nuk ishte paguar plotësisht dhe e dërgoi KGE, kompani në pronësi të vetë Becchetit përballë një shoqërie private të licensuar për ndërmjetësim dhe arbitrazh. Në përfundim të këtij gjykimi arbitrazhi, kontraktori “Energji” fitoi 48.5 milion euro nga KGE.

Por humbësi, siç doli nga dispozitivi, ishte në fakt kompania Hydro Srl, e zotëruar në 48 për qind të aksioneve të saj nga Deutsche Bank dhe në pjesën tjetër nga Beccheti. “Nga ky makinacion është Deutsche Bank që ka humbur 45-48 për qind të shumës 48.5 milion euro”, tha gjyqtari.

Pasi lexoi pjesë nga akuza Hoxha tha se gjykata çmoi “se të gjithë të pandehurit duhen shpallur fajtorë për akuzat e ardhura për gjykim”. Beccheti vetë u dënua për 4 akuza dhe gjykata dha një dënim prej 17 vjetësh nga 20 që ishin kërkuar prej prokurorisë, që në këtë seancë shpallje vendimi përfaqësohet nga tre prokurorë, drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj, prokuroren Mirela Zavalani dhe prokurorin Leonard Filopati.

Becchetti i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se ishte persekutuar politikisht nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria. Ndërkohë kompanitë e krijuara prej Becchettit dhe të përfshira në këtë skemë u konfiskuan dhe u mbyllën me vendim të gjykatës./ BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN