Policia e Korçës ka arrestuar 3 persona pasi u kapën duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm.
Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, u goditën 2 raste të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Sektorin e Policisë Rrugore, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë tw shtetasve A. F., 50 vjeç; N. F., 45 vjeçe, banues në Korçë dhe M. P., 31 vjeç, banues në Pajovë, Peqin.
Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Starovë, mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. F. dhe pasagjere bashkëshorten e tij, shtetasen N. F., është ndaluar pasi dyshohej se këta shtetas po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm. Drejtuesi i mjetit, fillimisht ka bërë rezistencë por më pas është kapur nga punonjësit e policisë.
Ndërsa rasti tjetër konstatohet nga Policia e Pogradecit. Një mjeti tip “Fiat”, me drejtues shtetasin M. P., është ndaluar nga punonjësit e Policisë pasi dyshohej se po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së kundrejt shpërblimit 1000 euro secilit.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.