MENU
klinika

“Bashkëpunim me kompaninë amerikane”

Rama: Nis prodhimi i gazit

01.03.2022 - 12:13

Kryeministri Edi Rama, pjesëmarrës në Samitin e BERZH-it për investimet në Ballkanin Perëndimor e konsideroi dje Shqipërinë si një nga vendet më të mira për të investuar, e sidomos në turizëm.

Z. Rama u shpreh se Shqipëria është një parajsë për investime në fushën e turizmit, duke theksuar se ka pasur numrat më të lartë edhe gjatë periudhës së vështirë të pandemisë së COVID-19. Kryeministri u ndal edhe te prioritetet e qeverisjes së re, teksa veçoi energjinë ku u shpreh se synohet të bëhemi një vend i pavarur nga pikëpamja energjetike dhe shtoi se investimet janë në proces. Ai bëri me dije se “tashmë kemi hyrë në një fazë të re, duke ndryshuar tërësisht modelin e sistemit tonë energjetik, kur vjen fjala për shitjen dhe blerjen, duke futur pjesën e ruajtjes, që duam ta rrisim shumë më tepër, pra rezervat”.

“Pas dy tenderëve të suksesshëm për energjinë fotovoltaike dhe nisjes së punës përgatitore, pas gjithë punës paraprake të kryer nga ‘Voltalia’, kompania e famshme franceze, në të njëjtën kohë, ne po ecim përpara dhe kemi shkuar përtej studimeve paraprake për energjinë e erës. Besojmë që ka një potencial të madh për ne që të përftojmë sasi të konsiderueshme shtesë energjie të përtëritshme nga prodhimi në det dhe në të njëjtën kohë po eksplorojmë dhe prodhimin e hidrogjenit përmes parqeve fotovoltaike”, deklaroi Rama.

Ai shprehu besimin se e gjithë kjo do të rrisë dhe do të diversifikojë prodhimin tonë të energjisë.

“Sidoqoftë, energjia hidrike mbetet burimi ynë më i rëndësishëm, prandaj po investojmë tashmë në një projekt mjaft të madh, i cili praktikisht do të na lejojë të kemi më së fundi elementin që i mungon sistemit tonë, që është diga ekuilibruese. Për këtë ne po punojmë shumë ngushtë me amerikanët, së bashku me prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, që do të nisë shumë shpejt, për pak javë ndoshta, falë bashkëpunimit dhe marrëveshjes me amerikanët dhe me anijet që do t’i afrohen brigjeve tona”, deklaroi Rama në Samitin e BERZH-it.

Rama njoftoi se brenda pak javësh do të mbërrijnë në portin e Vlorës dërgesat e para të gazit të lëngshëm.

“Mendoj që jemi prej shumë pak vendeve që vijojnë të ruajnë të njëjtin çmim energjie për konsumatorët, sidomos ata familjarë dhe bizneset e vogla, si përpara krizës. Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për ta mbajtur në këtë linjë, edhe pse trendi po shkon krejt në kah të kundërt të këtij drejtimi dhe natyrisht edhe në linjë me parashikimet e vitit të kaluar”, nënvizoi Rama. Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi një tjetër përparësi, siç është digjitalizimi i plotë dhe investimi më shumë për të afruar sa më shumë rininë me teknologjinë. “Kemi tashmë 95 % të shërbimeve për njerëzit në mënyrë të plotë digjitale, pra kemi ndryshuar tërësisht marrëdhënien midis qytetarëve dhe shërbimeve të shtetit, duke i shndërruar në shërbime tërësisht, jo në letër. Ka disa shërbime, të cilat kërkojnë kontakt fizik, si për shembull kur duhet të marrësh një pasaportë apo dokument identifikimi apo kur duhet të merren shenjat e gishtërinjve”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se në muajt në vijim do të mbyllen të gjitha zyrat ku qytetarët marrin shërbime dhe praktikisht, gjithçka do jetë online.