MENU
klinika

Prezantohet projekti

“Ringjallja” e sektorit detar

16.11.2018 - 12:12

Shqipëria synon t’i japë një shtysë zhvillimit të sektorit detar. Sot u prezantua projekti i quajtur “Zhvillimi i sektorit detar”, projekt që financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar. Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Objektivat kryesore të projektit janë fuqizimi i kuadrit rregullator detar në përputhje me praktikën ndërkombëtare detare dhe kriteret legjislative të BE-së; fuqizimi i kapacitetit institucional për të harmonizuar standardet dhe rregulloret përmes programeve të trajnimit dhe të shkëmbimit, si dhe rritja e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar krijimin e grupimeve detare dhe koordinimin ndërmjet tyre.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se kjo mbështetje financiare nga qeveria norvegjeze do të mundësojë fillimin e reformimit të këtij sektori, krijimin edhe të dijeve të nevojshme nëpërmjet bashkëpunimit me universitetin e Vlorës.

“Është qasja e duhur për të filluar që nga njerëzit e parë teknikë të cilët duhet të përgatiten dhe duhet të merren më këtë sektor. Sepse në shumë sektorë ne kemi humbur shumë kualitete kështu që realisht industria detare kërkon njerëzit e tyre. Por nga ana tjetër asistenca që duhet ti jepet autoriteteve shqiptare për të reformuar dhe për të krijuar një strategji të qartë në lidhje me industrinë detare, pra jo vetëm infrastrukturë portuale, sepse u tha drejtë këtu. Kryesisht Shqipëria ka qenë e fokusuar tek investimet në infrastrukturën portuale dhe këtu ka progres, janë bërë investime. Së fundi jemi dëshmitarë të investimeve që po bëhen në portin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit, që ka qenë një problem prej shumë vitesh dhe që ka ulur kapacitetet e përpunimit të portit të Durrësit,” tha ai.

Të dhënat mbështetëse të INSTAT-it tregojnë se në vitin 2017, krahasuar me 2016-n, vëllimi i kargove të ngarkuara dhe shkarkuara në portet e Shqipërisë është rritur me 7,1%, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjat detare është rritur me 16,9%, mallrat e transportuara në rrugë detare zënë 62,8% të totalit të transportit si dhe mallrat e importuara në rrugë detare zënë 48.6 %.

Pozicioni i favorshëm gjeografik i Shqipërisë, që lidhet me detin Adriatik dhe Jon dhe me detin e Mesdheut Qendror, e bëjnë Shqipërinë në një vend të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve detare.

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!