Gjiganti i veshjeve dhe pajisjeve sportive Adidas prish çdo lloj marrëveshjeje me Rusinë. Marka e njohur gjermane ka njoftuar se ka pezulluar partneritetin me Federatën Ruse të Futbollit pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Adidas pezullon partneritetin me Federatën Ruse të Futbollit (RFS) me efekt të menjëhershëm”, – tha një zëdhënës i kompanisë që gjeneroi 2.9 përqind të xhiros së saj në Rusi, Ukrainë dhe CSI vetëm në vitin 2020.
Situata po evoluon vazhdimisht me botën e sportit që vazhdon të rebelohet kundër Rusisë duke lëshuar mesazhe të rëndësishme dhe mbi të gjitha gjeste me rëndësi të madhe për të goditur ekonominë e vendit me shpresën se kjo luftë do të përfundojë së shpejti.