Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është diskutuar sërish sot në studion e emisionit “Pikat mbi i”, në News24. Të ftuar në studio, analisti Artur Zheji dhe avokati Spartak Ngjela thanë se Vladimir Putini ka mbetur i vetëm, pasi e gjitha bota i është bashkuar optimizmit të luftës në Ukrainë, të përçuar nga Presidenti Volodymyr Zelensky.
Avokat Ngjela vlerësoi në maksimum Presidentin e Ukrainës, duke thënë se është ukrainasi i dytë pas Hrushovit, që po godet një tirani të madhe në Rusi. Sa i përket kërcënimit të Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore, Ngjela u shpreh se ajo ishte një deklaratë naive, pasi me përdorimin e armëve nukleare nuk dihet se kush shpëton.
Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Ishte shumë e fortë deklarata e Presidentit amerikan, që “Putini nuk e di se çfarë e pret”. Ky është një kërcënim i hapur. Gjithë Amerika ishte me Biden, sepse deklarata u shoqërua me ovacion. Kjo e shkatërron komplet planin dhe strategjinë e Putinit. Putini do ta mbyllë sa më shpejt këtë turp, është në një situatë ku nuk ka kthim pas, ndaj e vetmja rrugë është të ecë përpara. Putin ndodhet mes dy zjarresh, pasi edhe kritiku i tij në Rusi, Navalny, ka bërë thirrje për protesta çdo ditë. Gjithashtu, edhe Kina ka një qëndrim neutral, ku ka kërkuar të mbizotërojë paqja mbi luftën. Pra, duket se Putini është vetëm edhe nga Kina.
Ngjela: Historia përsëritet. Janë dy ukrainas të mëdhenj që kanë bërë të njëjtin veprim, Hrushov, që shkatërroi stalinizmin, dhe Zelensky, që po godet një tirani të madhe në Rusi. Kjo është koincidenca, që dy ukrainas të mëdhenj erdhën dhe në situata të ndryshme dhe larg nga njëri-tjetri krijuan të njëjtën gjë. Ka një optimizëm, që e ka krijuar Zelensky. Edhe lufta guerile nga Ukraina ka dalë, në Luftën e Dytë Botërore, ata e krijuan luftën partizane. Kur panë që ata rezistuan dhe Rusia ishte një letër e vjetër, janë bërë të gjithë optimistë, jo vetëm në ndihmat që po japin, por edhe në mënyrë si flasin. Zelensky ka krijuar një optimizëm botëror. Trupat ruse janë në vend. E di kush është autori i kësaj lufte? Gjergj Kastrioti! Nuk i merrnin dot Krujën. Edhe në këtë rast, heroika e tyre është në mbrojtjen e kryeqytetit, që nuk po e dorëzojnë. Rusët çfarë s’po bëjnë, me kolona e raketa. Ka pasur një ndihmë të madhe dhe nga droni bajraktar i Turqisë. Në një kohë që nuk pritej, pasi Erdogani ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Putinin, por ja që devijoi. Janë shumë aleatë të tij që kanë devijuar, edhe Hungaria. E gjithë kjo erdhi si pasojë e optimizmit që krijoi lufta atje dhe e panë që Putini do të gabonte hap pas hapi. Rrezikshmëria që po sjell Putin, si pasojë e deviacionit psikik, do të detyrojë ushtarakët e lartë që të marrin masa kundër tij.
Zheji: Është punuar për të krijuar një arkitekturë të rezistencës, që nuk është një zbulim apo e paparashikuar nga amerikanët. Dua të ndalemi te bilanci i 24 orëve të fundit, ku vetëm në një goditje në Kharkiv janë vrarë 21 veta, numri i fëmijëve të vdekur është i madh. Kjo tregon se ushtarët rusë në terren kanë humbur qetësinë. Nëse kanë qenë të vendosur të bënin operacione ushtarake, tani e kanë lëshuar dorën. Ata duan të krijojnë panik, që të ulin moralisht rezistencën e Ukrainës. Por, një lajm interesant po qarkullon nga shërbimet inteligjente, që Rusia tani mund të numërojë 10 mijë ushtarë të vrarë. Pra, Ukraina po bëhet një varrezë e madhe e kësaj ushtrie. Rezistenca e ushtrisë ukrainase është shumë e madhe. Ushtria ruse ka ndeshur në një mur të trefishtë në Ukrainë, në një klimë patriotizmi, në një klimë rezistence. Pjesa dërrmuese e të larguarve nga Ukraina janë vetëm gra e fëmijë, pasi burrat kanë qëndruar për të luftuar. Ka ngelur vetëm blofi apo kërcënimi me holokaust global, përdorim të armëve bërthamore nga rusët.
Ngjela: Janë dy teori që prodhohen me Zelenskyn, njëra që thotë se “gjithë vlerat e lëvizjeve të mëdha shoqërore vijnë nga kulti i individit”, e dyta është “i mjerë është ai popull që s’ka heronj, por fatkeq është ai popull që s’ka heronj, kur i duhen”. Zelensky i ka të dyja. Nuk është vetëm aktor, ka mbaruar për ekonomi, pastaj ka shkuar dhe është bërë aktor i madh i skenës. Zelensky krijoi një skenë gjigante, që po e sheh gjithë bota e po e lavdëron. Ky e bëri të vetëm. Por, në momentet kur fillon heroikja, vdekja u duket sublimi i individit, prandaj janë heronjtë. Ky realizoi optimizmin kombëtar. As Perëndimi nuk e priti këtë. Sa erdhi heroikja, u krijua dhe skena e madhe e teatrit botëror dhe po ndihmojnë me të gjitha mjetet. Gjëja më e rëndësishme është që në Ukrainë është krijuar optimizëm kombëtar, pashë edhe vajza të reja, edhe misi, që kanë dalë të luftojnë. Kjo është frymë. Deklarata e Lavrov për luftë nukleare ishte naivitet. Në luftë nukleare nuk dihet kush shpëton. Si do ta zhvillojnë, do vrasin rusët? Është naivitet. Por bëhet pyetja, se kë do të trembë Rusia? Pikërisht Amerikën.