Mediet fqinje raportojnë se policia greke ndodhet shumë afër autorit të vrasjes së familjes shqiptare, e cila u vra një ditë më parë në zonën e Andraviadës në Greqi. Policia ka hedhur poshtë pistën e parë se autori i krimit të katërfishtë të ishte babai i vdekur dhe pistën e dytë se autor ishte ish bashkëshorti grek i shqiptares.
Autoritetet greke janë në kërkim të një tjetër burri, bëhet fjalë për një shtetas grek 57-vjeçar, që banonte afër shtëpisë së familjes shqiptare. Sipas informacioneve të protothema.gr, policia ndodhet aktualisht në shtëpinë e 57-vjeçarit grek, baba i dy fëmijëve.
Shtëpia e tij ndodhet shumë afër banesës ku ndodhi krimi tragjik, ku mbrëmjen e djeshme fëmija 12-vjeçar i familjes gjeti nënën, njerkun dhe 2 vëllezërit e vegjël mes gjakut përtokë.
Prothema.gr shkruan se 57-vjeçari i dyshuar është shpallur në kërkim që nga mbrëmë jo vetëm nga policia , por edhe nga familjarët e tij, të cilët kanë humbur kontakt me të që prej ditës së djeshme.
Në fshat të gjithë e cilësojnë 57-vjeçarin si person me probleme mendore, i cili zakonisht kishte konflikte me shumë bashkëfshatarë.
Mendohet se shkak i vrasjes tragjike është se çifti shqiptar kishte mosmrrëveshje ekonomike me fqinjin, nuk kishin paguar një pjesë të marrëveshjeve financiare me 57 vjeçarin.
Megjithatë ky pohim mbetet një dyshim dhe pritet të verifikohet nga policia greke.
Në të kaluarën autori i dyshuar ka qendruar në një spital psikiatrik, dhe pasi ka dalë ka vazhduar aktet mizore duke keqtrajtuar dy ish gratë e tij, fqinjët, e madje edhe kafshët shtëpiake të banorëve të tjerë.
Si i gjeti 12 vjeçari viktimat në shtëpi
Babai dhe nëna u gjetën në oborrin e banesës të larë në gjak, ku babai mbante një thikë në qafë. Sipas dëshmisë së një gruaje, fëmija ka qenë ai që ka gjetur vëllezërit dhe nënën e tij të gjakosur.
Konkretisht, fëmija kapi vëllanë e parë të vogël që pa përballë dhe e tërhoqi zvarrë në rrugë dhe në kishë për të kërkuar ndihmë!
Dy fëmijët u transportuan në qendrën mjekësore por fatkeqësisht ishte tepër vonë. Shtëpia e gjakosur e familjes fatkeqe ndodhet prapa kishës së Shën Konstantinos. Policia ndodhet në vendngjarje, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sakta në të cilat humbën jetën katër personat, ndërsa në vendngjarje pritet edhe një mjek ligjor.