Edhe në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, komuniteti i futbollit është i përfshirë në zgjedhjet për kreun e federatës. E ashtuquajtura “Opozita e FFK-së” ka nisur një fushatë për të dalë me një kandidat të vetëm.
Opozita, e përbërë nga ish zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe më gjerë, disa prej të cilëve i kanë deklaruar kandidaturat e tyre për kryetar të FFK-së, tashmë i ka nisur lëvizjet konkrete për t’u bashkuar dhe për të dalë me një kandidat të përbashkët për kryetar.
Qëllimi është të rrëzojnë nga posti kryetarin aktual, Agim Ademin, me të cilin prej një kohë të gjatë kanë krijuar ndarje të thellë. Sipas kosovares “Gazeta Express”, grupi i të pakënaqurve me qeverisjen e Agim Ademit në futboll, është i përbërë nga dy kandidatët e deklaruar, Remzi Ejupi e Arianit Ahmeti.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe ata që shiheshin si kandidatë potencialë, si Eroll Salihu, Afërdita Fazlija, Gramoz Vokrri, etj. Këta tashmë po punojnë seriozisht në këtë drejtim.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i kryesuar nga Agim Ademi, të mërkurën papritmas lëshoi një deklaratë, përmes së cilës tha ka e ka vendosur 6 prillin si datë të zgjedhjeve. I bie që zgjedhjet të mbahen disa muaj para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, i cili përfundon në korrik.
Eroll Salihu, njohës i mirë i çështjeve ligjore si një jurist me profesion, sidomos të atyre që ndërlidhen me sportin e sidomos futbollin, ia ka tërheq vërejtjen kryesisë së FFK-së dhe Agim Ademit se zgjedhjet janë të paligjshme, duke iu referuar statutit të FFK-së, në hartimin e të cilit ka punuar vetë Salihu, e po ashtu duke iu referuar ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) shprehu keqardhje për situatën e krijuar në procesin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Drejtori i këtij këshilli, Behxhet Shala, bën thirrje që zgjedhjet në FFK të organizohen në mënyrë demokratike duke i respektuar ligjet e Kosovës, statutin e FFK-së, të drejtat e delegatëve dhe kandidatëve për kryetar.