MENU
klinika

Mbyllet fushata

Do të jetë Shkodra gara më e fortë? Rama, Basha, Berisha ‘përplasen’ nga kryeqendra e veriut!

04.03.2022 - 19:03

Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë mbyllur pasditen e sotme fushën elektorale të 6 marsit në Shkodër, një ndër bashkitë më të mëdha të vendit. Të tre zgjodhën që të shfaqeshin aty duke kërkuar mbështetjen e elektoratit të tyre, duke u paraqitur si e ardhmja dhe alternativa më e mirë e qytetit. Beteja e Shkodrës, duket si një nga betejat më të forta për shkak të përplasjes brenda radhëve të demokratëve me dy përfaqësues atë të PD-se zyrtare dhe mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha me shtëpinë e lirisë. Përçarja mes fraksionesh e PD-së mund të sjellë për herë të parë që kjo bashki bastion e së djathtës ti “falet” socialistëve të Majlinda Angonit.

Ndërsa Basha kërkoi mbështetjen e demokratëve, që janë më të përçarë se kurrë, për të votuar Xhemal Bushatin, nga ana tjetër kryeministri Edi Rama u kërkoi jo vetëm socialistëve por edhe demokratëve që të votojnë Majlinda Angonin, e cila sipas tij do të jetë e ardhmja e qytetit, ndërsa i cilësoi dy kandidatët e tjerë si pjesë e bravës dhe varesë duke iu referuar Bashës dhe Berishës. Rama tha se më 6 mars në zgjidhet mes punës për komunitetin dhe sherrit për partinë.

“Demokratët duhet të zgjedhin mes dy alternativave që nuk janë alternativa dhe nuk kanë të bëjnë më të ardhmen e Shkodrës. Më 6 mars nuk do shkojmë të zgjedhin mes alternativash politike, nuk do shkojnë të zgjedhim mes Europës dhe SHBA apo SHBA dhe interesave të njërit apo tjetrit. Më 6 mars qytetarët do zgjedhin për ta pasur qytetin më të pastër apo më të pisët, për të pasur më shumë vëmendje për lagjet e tyre apo për të vazhduar mes gropave që zgjerohen dhe shtohen në lagjet e tyre”, tha Rama.

Ndërsa Basha tha se demokratët e Shkodrës duhet të “çajnë rrethimin e të keqes, për ti dhënë qytetit shpresën dhe besimin tek e nesërmja dhe sipas tij ndryshimi do të vijë vetëm përmes Xhemal Bushatit.

Edhe Sali Berisha mbyllI sot fushatën elektorale në Shkodër duke kërkuar votën e demokratëve për Bardh Spahinë. Ai ka ironizuar Ramën dhe Bashën duke thënë se ” I kanë ardhur në ndihmë njëri-tjetrit, por betejën e 6 marsit e kanë të humbur”

Majlinda Angoni nën siglën e PS, Xhemal Bushati nën siglën e PD dhe Bardh Spahia për “Shtëpinë e lirisë” janë tre kandidaturat mes të cilëve 169 mijë votuesit me të drejtë vote do të kenë mundësi të zgjedhin drejtuesin e ri edhe pse në një mandate ndryshe, të kufizuar në vetëm 1 vit.