MENU
klinika

Ja si u ekzekutua familja shqiptare

Masakra në Andravida/ Del autopsia paraprake

05.03.2022 - 11:16

Masakrimi i familjes shqiptare vijon të trajtohet me vëmendje të veçantë në Greqi.

Ndërsa janë pritur detajet nga autopsia, Policia greke vijon kërkimin për autorin e ngjarjes. Ata kanë rrethuar të gjithë zonën ku mendohet se ai është i fshehur dhe edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë nga vrasja, ata ende nuk e kanë sjellë në pranga.

Policia vendase i druhet armatosjes së tij, ndërkohë që nuk ka dyshim që ai është personi që e ka kryer krimin e rëndë. ekspertët që po merren me hetimin e ngjarjes kanë fiksuar pamje filmike të disa kamerave të banesave dhe të lokaleve në lagje.

Po ashtu, ditën e djeshme Policia ka nxjerrë edhe detaje të tjera në lidhje me mënyrën se si ka operuar vrasësi përpara se sa të kryente ekzekutimin.

Spitali i Patras i ka thënë skuadrës së hetimit se vrasja ka ndodhur rreth orës 17:00-17:30 të së mërkurës, duke lënë të kuptohet diferenca prej rreth 4 orësh e gjysmë nga momenti që janë marrë trupat. Sipas të dhënave të mediave greke, autori ka përdorur një armë me silenciator për ekzekutimin, ku ka vrarë me një plumb Marian dhe me dy plumba në kokë Armandon. Dy fëmijët, thotë mjekësia ligjore janë vrarë me duar, duke i mbytur.

AUTOPSIA

Shefja e shërbimit mjekoligjor të Patras, Angeliki Tsiola, është cituar nga gazeta “Kathimerini” në lidhje me mënyrën se si janë ekzekutuar të katër viktimat. Sipas saj, vrasësi i ka qëlluar nga shumë afër viktimat e tij. Mjekja ligjore iu është referuar plagëve të armës që kanë të dy viktimat, burrë e grua, ndërkohë që në autopsinë e parë, mjekësia ligjore e Patras nuk flet për plagë të tjera në trupin e viktimave.

Duke iu referuar të dhënave të natës së parë që dolën nga vendi i ngjarjes, u tha se në fakt, në trupin e Armandos Policia gjeti edhe një thikë, ndërkohë që mjekët kanë fiksuar dy plagë plumbi në trupin e Armandos dhe një te trupi i Marias.

Dy të miturit, Arlindi dhe Erlisi janë mbytur, duke iu bllokuar rrugët e frymëmarrjes, përcakton Mjekësia Ligjore e Spitalit në Patra. Policia dhe ekspertët dyshojnë që vrasjet të jenë realizuar në dhomën e gjumit dhe më pas autori i krimit i ka tërhequr zvarrë për në pjesën e jashtme të shtëpisë aty ku edhe ka dashur t’i ngarkojë në një mjet tip karroje që t’i largonte nga vendi.

Mjekët kanë fiksuar edhe shenja të tjera në trupat e çiftit shqiptar, plagë për të cilat nuk kanë dhënë asnjë përfundim ende.

Ata pretendojnë se kjo është autopsia paraprake e realizuar sapo janë përballur me viktimat, ndërkohë që në ditët në vijim do të dalë autopsia e plotë. Po ashtu, janë marrë edhe shumë shenja të tjera të cilat po ekzaminohen për llogari të hetimit të çështjes së vrasjes brutale të familjes shqiptare.

Vrasësi përdori silenciator edhe për të vrarë qentë

Ndërkohë që hetimet dhe kërkimet vazhdojnë për arrestimin e vrasësit, sipas të dhënave të mediave greke bëhet me dije se në banesën e braktisur të personit që dyshohet si vrasës, janë gjendur armë të ndryshme përfshirë edhe një pistoletë me silenciator. Me atë armë mësohet se ai ka arritur të vrasë qentë e shtëpisë, përpara se sa të hynte në banesë dhe të ekzekutojë familjen shqiptare.

Nga pamjet filmike që janë sekuestruar në zonë bëhet me dije se ai është parë disa herë gjatë ditës, duke u sjellë rreth e rrotull shtëpisë së tij për të cilën ai kishte kohë që iu kërkonte shqiptarëve të dilnin që aty. Por familja shqiptare, sipas të dhënave të mediave greke, kishte një kontratë me të deri në fundin e muajit mars, kontratë të cilën ata i kanë kërkuar ta respektojë.

Sipas të dhënave, pronari i banesës, pra i dyshuari dhe i kërkuari për krimin makabër para se sa të vendoste të shkonte dhe t’i vriste ai iu ka prerë energjinë elektrike në banesë, por ata nuk i kanë vënë rëndësi këtij fakti, pasi Armando ka qenë në punë dhe Maria nuk ka shkuar të flasë me të.

Por ai, me sa duket sapo është siguruar se Armandoja ka mbërritur në banesë ka marrë armën dhe ka shfrytëzuar hyrjen nga pas shtëpisë, banesë që ai ia dinte mirë hyrjedaljet meqë ishte pronë e tij dhe ka hyrë në shtëpi pa u vënë re nga çifti. Policia vijon kërkimet ende nëpër banesa të braktisura dhe në zona të fshehura, por ende nuk jepet informacion në lidhje me të se me çfarë është larguar, në këmbë apo në makinë.

Ngjarja, pavarësisht makabritetit, në mediat greke ka nisur të trajtohet si tragjedi, ndonëse u shua një familje me dy fëmijë të mitur. Policia tashmë pret të sigurojë edhe dëshminë e djalit 12-vjeçar të Mariesë, i cili është marrë nga i ati i tij që jeton e punon në Lutraki. Do të jetë i mbijetuari i asaj masakre që do të tregojë se çfarë problemesh kanë pasur me të zotin e shtëpisë dhe se çfarë ka parë momentin që ka mbërritur në portën e jashtme të oborrit.

Eksperti i sigurisë: Ja si do të përfundojë beteja e Rusisë

SHBA dhe Greqia mbyllin ambasadat e tyre në Kiev

“Kemi lidhur kontratë për t’i mësuar fëmijëve gjuhen shqipe”

Rama prezanton 8 mësuesit e parë në Greqi