Kush është futbollisti më i vjetër në botë? Ndërsa shumë besojnë se është Kazuyoshi Miura, i cili ka mbushur 55 vjeç dhe luan në kategoritë e ulëta japoneze, ai çmim i përket një futbollisti në Uruguaj: Robert Carmona.
Ai është 59 vjeç dhe muajin e ardhshëm do të mbushë 60. Libri i “Guinness” i ka caktuar Carmona-s rekordin e të qenit futbollisti më i vjetër aktiv, pasi mbrojtësi i paraqiti organizatës dokumentacionin e duhur, një detyrë që u deshën katër vite për ta përfunduar.
Ndryshe nga Miura, Carmona nuk luajti futboll të nivelit të lartë, përkundrazi luajti gjithë karrierën e tij në ligat e ulëta uruguajane dhe ligat më të ulëta jashtë shtetit. Nga ajo që është mbledhur, Carmona është aktiv prej 45 vitesh si futbollist profesionist.
Robert Carmona luajti në ligat e ulëta të Uruguajit, Italisë, Shteteve të Bashkuara, ndër të tjera, si mbrojtës. Madje, ai luajti edhe kundër Diego Maradonës në një ndeshje profesionale. Në total, Carmona ka luajtur për 30 ekipe me 2200 ndeshje zyrtare.
Në asnjë moment gjatë karrierës së tij 45-vjeçare, Carmona nuk ndaloi së luajturi, apo u tërhoq. Duke folur për “Marca”, Carmona tha: “Unë kam luajtur pa ndërprerje që kur kam filluar karrierën profesionale në vitin 1976. Nuk mund të jap një përgjigje të lehtë për sekretin e jetëgjatësisë sime.
Ka disa faktorë: dieta e mirë, disiplina në stërvitje, shmangia e dembelizmit, alkoolit dhe drogës. Pavarësisht se kam pasur një jetë të vështirë që në fëmijëri, kam mbajtur gjithmonë një qëndrim shumë pozitiv.
Duhet një bindje e fortë, të besosh se ëndrrat bëhen realitet, nëse synon për diçka. Në jetën time nuk ka s’mundem. Ndjej sikur më kanë bërë një dhuratë dhe nuk e kam humbur atë. Ndihem shumë i gjallë dhe kam energjinë e një të riu”.