MENU
klinika

Mero Baze

Manipuluesi dhe manipulimi i vetëm i 6 marsit

06.03.2022 - 10:21

Zgjedhjet e pjesshme për gjashtë kryetar bashkish, që zhvillohen të dielë, janë zhdukur nga ekranet nën bombardimin e lajmeve nga lufta në Ukrainë dhe i interesuari i tyre i madh, Sali berisha, po përpiqet t’i përdorë ato për të mbijetuar politikisht, pas sulmit frontal nga SHBA mbi të dhe familjen e tij. Duke përdorur influencën e tij historike mbi strukturat e PD dhe ngritjen e një klani të tij tridhjetë vjeçar, Sali Berisha po pëprqet të paraqesë produktet e veta klanore të tridhjetë viteve, si ushtarë të rezistencës amerikane në Shqipëri.

Nuk ka njeri dyshim që Sali Berisha është i mbështetur në atë që quhet strukurë e vjetër e Partisë Demokratike. Nuk ka pasur as më 19 maj kur u shpall “non grata” dhe as më 9 shtator kur u përjashtua nga Grupi Parlamentar I PD. I vetmi manipulim është se mbështetësit klanorë të Sali Berishës në PD, po paraqiten prej tij si forcat sfiduese anti-amerikane në PD.

Ky është objektivi madhor i manipulimit të opinionit për zgjedhjet e 6 marsit. E vetmja ngjarje e sigurtë është se këto zgjedhje do të provojnë që PD është e ndarë dhe që Berisha po bie nga lider absolut i asaj partie, në një lider që po mbështetet vetëm tek një grusht militantësh, të cilët nuk duhen krahasuar me sa i kanë mbetur Lulzim Bashës, por me sa ka humbur PD me ata që kishte para ndarjes së madhe.

Të gjitha sondazhet tregojnë se PD është e ndarë sot në tri pjesë, në mbështetës të Berishës, të Bashës, dhe të pavarur prej të dyve. Sali Berisha nuk është shumicë në këtë këtë trekëndësh të PD, por është autor i kësaj ndarje vdekjeprurëse për të.

Çdo përpjekje e tij për t’u krahasuar me një nga tri copat që ka prodhuar vetë, është përpjekja për të mbajtur ndezur në mënyrë fiktive, një fabulë anti-amerikane në PD.

Fakti që në kto zgjedhje, ai po përfaqësohet legalisht nga Ilir Meta dhe komisionerët e tij, është manipulimi i dytë i madh i zgjedhjeve dhe fuqisë së tij. Është fakt i njohur që LSI ka qenë më aktive dhe se vetë njërëzit e Berishës në këtë fushatë, të angazhuar që të sfidojnë atë që Berisha ka objektiv të jetës së tij të mbetur me rikthimin në politikë, betejën me SHBA.

Manipulimi i tretë mund të vijë siç pretendon PD, nga personat “non grata” që janë afër PS, dhe që mund të orientojnë mbështetjen tek Berisha, në raport me Bashën, meqë PS e ka betejën e fituar. Kjo mbetet për t’u parë.

Por ajo që është e dukshme më 6 mars, ka të bëjë me përpjekjet e Sali Berishës për t’u paraqitur si “humbës i fortë” më 6 mars. Mendoj se me ndihmën e Metës, me ndihmën e bojkotit të demokratëve që nuk do shkojnë të votojnë si një shumicë e heshtur, që urren atë që po ndodh në PD, me ndihmën e indiferencës me të cilën po shkohet në zgjedhje, dhe me ndihmën e vatrave të tjera anti-amerikane në politikën shqiptare, ai mund të duket një “humbës i fortë”.

Por kjo nuk i hyn në punë askujt. Një “humbës i fortë” brenda PD, është një humbës, që suksesin më të madh të tij në jetë do të ketë të mos lërë PD të fitojë kurrë. Mund ta bëj dhe këtë, nëse ja pranon PD. Këta socialistët ja pranojnë me qejf.

Por ai nuk do jetë kurrë në pushtet dhe kurrë nuk do të jetë as shumicë në PD, derisa këtu SHBA të jetë aleat strategjik i Shqipërisë. Ai thjesht ka një muaj që po mendon si të manipulojë dhe një herë trushpëlarët e vet më 6 mars, që t’i mbajë me gënjeshtra deri marsin tjetër, kur të vijnë zgjedhjet reale lokale.

Tre muajt e parë të dënimit i shtyu duke thënë se ka dërguar një letër në një gjykatë në Francë dhe posta e ka dorëzuar. Tre muajt e dytë i shtyu duke i gënjyer që më 11 dhjetor do bëhet kryetar i PD. Tre muajt e tretë po i shtyn duke i gënjyer me 6 marsin. Këtë vitin që vjen, po qe mirë dhe i lirë, ka gënjeshtra të tjera.