MENU
klinika

Po rritet te Sassuolo

“Bëmë baba të të ngjaj”, Çipi i ri po “shpërthen”

06.03.2022 - 13:57

Disa njerëz e kanë të shkruar të ardhmen e tyre. Një prej tyre është edhe Mateo Çipi, djali i Geri Çipit, ish-mbrojtësit të kombëtares që ka luajtur në grupet e Champions League me Maribor, si dhe ka provuar të aktivizohet në elitën e futbollit belg dhe në Bundesligën gjermane.

Mateo ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe momentalisht i është bashkuar Sassuolos në Itali. Ai i ka hedhur hapat e parë te Flamurtari, madje ka luajtur në një kampionat të ashpër si Kategoria e Parë.

Edhe pse adoleshent, ai ia ka dalë mbanë dhe në rubrikën “Talenti shqiptar” për Fshf.org tregon se ajo eksperiencë e ka ndihmuar atë. Mateo shikon përpara dhe në intervistën e dhënë na tregon shumë gjëra, duke nisur nga ndihma që i jep babai, të lojtarët që ka shembuj dhe ku dëshiron të arrijë.

– Mateo, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– Lidhja ime me futbollin ka nisur në moshën 7-vjeçare. Njeriu që më kë afruar më shumë me këtë sport ka qenë babai, por dhe shoqëria. Luanim gjithmonë me shokët futboll.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Personi që më këshillon më shumë normalisht që është babai im, i cili ka luajtur vetë në rolin që luaj unë. Gjithmonë i dëgjoj këshillat e tij.

– Si ka qenë të luani për Flamurtarin në Kategorinë e Parë në një moshë shumë të vogël? Çfarë të ka bërë përshtypje nga ajo eksperiencë?

-Të luash në ekipin në të cilin ti je rritur është një eksperiencë shumë e bukur. Fakti që më është dhënë mundësia të luaj në ekipin e parë në një moshë të vogël më ka ndihmuar. Ka qenë një eksperiencë që më ka rritur, si nga ana fizike ashtu edhe nga an mendore.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

– Kur mora ftesën nga  Shqipëria U19, jam ndjerë krenar që mu dha mundësia që të jem pjesë e kombëtares së moshave. Nga grumbullimi i parë më kujtohet atmosfera me shokët e skuadrës. Ndeshja ime e parë kundër Izraelit ka qenë një moment që unë nuk e harroj.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Jeta ime futbollistike ka qenë e thjeshtë. Jam në hapat e mia të para dhe shpresoj që futbolli të më rrisë si person dhe si lojtar.

– Sa ka ndikuar në rrugëtimin tuaj të deritanishëm fakti që jeni djali i Geri Cipit? Më shumë keni ndjerë presion, apo motivim?

– Ka ndikuar për faktin që kam dëgjuar gjithmonë këshillat e tij. Fakti që ai ka arritur të luajë në shumë klube në Europë, më motivon që edhe unë të ndjek gjurmët e tij.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është Berat Gjimshiti, i cili ka vite që luan në nivele të larta në Itali. Kurse lojtari i huaj që e kam si shembull është Virxhil Van Dijk. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në botë.

– Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

– Po, e vërtetë, vitet e fundit në Itali kë shumë lojtarë shqiptarë të cilët luajnë në Serie a dhe shpresoj që një ditë dhe mua të më jepet mundësia të arrij të luaj në një nivel të tillë.

– Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?

– Po. Fakti që ka shumë lojtarë që luajnë në kampionate europiane, sigurisht do ndikojë në rritjen e futbollit shqiptar.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Sa do donit të ecnit në gjurmët e babait tuaj?

– Synimi im është që është të luaj në kampionate europiane dhe shpresoj që dhe unë të ndjek gjurmët e babait tim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Shkëlqejnë 3 futbollistë të Kombëtares

Legjionarët më të vlerësuar të fundjavës

Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”