Nuk ka fitues në ndeshjen e fundit të javës 24 të Superligës mes Kukësit dhe Vllaznisë, me sfidën që u luajt në “Elbasan Arena” dhe u fiksua 0-0. Dueli për vendin e tretë nuk prodhoi fitues, kështu që gjithçka mbetet e hapur për një vend në Evropë.
Ishte Vllaznia që në minutat e para u përpoq të surprizonte Kukësin, ku Aralica u shfaq dy herë para porte, por pa sukses. Kukësi ekuilibron ndeshjen dhe futet në rrjedhën e zakonshme. Në minutën e 24-t ikin dritat në stadium, teksa ndeshja ndërpritet për disa minuta.
Verilindorët marrin iniciativë, por duhet theksuar se shumë gabime në mesfushë nga të dyja skuadrat. Edhe pjesa e dytë është e ekuilibruar, por skuadrat më shumë përpiqen mos pësojnë se sa të shënojnë.
Në fund ndeshja ndizet dhe krijohen disa mundësi shënimi për të dy ekipet, por nuk ishte e thënë që topi të hynte në portë. Mbyllet pa gola, një pikë që vlen pak për të dy ekipet, sidomos për Kukësin që luante si pritës.