MENU
klinika

Nga Mentor Kikia

Pasi shkatërruan PD-në, Basha e Berisha tani duhet të shpëtojnë opozitën

07.03.2022 - 19:31

Nga Mentor Kikia

Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” në Shkodër, Bardh Spahia, ishte i vetmi që theu hegjemoninë socialiste edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore, e cila kontrollon aktualisht 60 nga 61 bashki.

Zgjedhjet shënuan një pjesëmarrje dramatikisht të ulët dhe partitë u përpoqën ta justifikojnë këtë me kohën e keqe. Por a ishte moti shkatari i këtij erozioni të madh? Padyshim që jo. As fakti që zgjedhjet ishin thuajse të parëndësishme në aspektin administrativ, pasi kryetarët janë me një mandat njëveçar, deri në zgjedhjet e rregullta vendore. Partitë i konsideruan ato si thellësisht politike dhe aspak vendore. PS kërkonte të testonte mbështetjen e saj, ndërsa po i drejtohet mesit të mandatit të tretë dhe ka “aplikuar” për një mandat të katërt. Ndërsa dy pjesët e PD-së ishin në një garë të ethshme për të verifikuar se cila ishte shumicë.

Në këtë aspekt, asnjëra palë nuk ka për çfarë të festojë. Kandidatët e PS-së në 5 bashki fituan, por vetë PS-ja nuk ka fituar. Pjesëmarrja e ulët në votime, nuk tregoi aspak rritje të mbështetjes së saj, përkundrazi.

Megjithatë ajo që duhet ti lexojë më me përgjegjshmëri këto zgjedhje është opozita. Të dy grupet e PD-së, nuk morën dot as votat që kishte marrë PD e vetme. Dhe kjo tregon se vota e demokratëve është ndarë jo në dy, por në tri pjesë. Në ata që mbështetën Bashën, ata që mbështetën Berishën dhe ata që i refuzuan të dy. Dhe kjo votë i shtohet atij që quhet elektorati gri, dhe që nuk voton në mënyrë të verbër si militantët e partive.

Grupimi Lulzim Bashës, ai që vazhdon të quhet Partia Demokratike, rezulton i rrëzuar përtokë. Ndërsa ai i drejtuar nga Berisha, edhe pse konfirmohet si shumicë brenda PD-së, mbetet ende modest për tu faktorizuar si opozita e zgjedhjeve të ardhëshme.

Shkodra do ti shërbejë Berishës si armë e re për të marrë kontrollin e partisë, por ajo nuk mjafton për të treguar se PD me Berishën është opsioni politik i të ardhmes. Berisha mori votat e militantëve që e ndoqën gjatë turit të folotores, mori edhe votat e atyre anëtarëve të PD-së që nuk shikojnë më shpresë tek Basha, por kaq. Berisha nuk frymëzoi dot masivisht qytetarët, sikundër priste.

Nuk mjaftoi adrenalina që ai prodhoi tek mbështetësit e tij fanatikë. Nuk mjaftoi as vendosja në tabelën e qitjes të Lulzim Bashës si humbës kronik dhe “bashkëpunëtor i Ramës”. Nuk mjaftoi as qeveria e mbushur me afera e skandale. Pjesamarrja e ulët në votime, tregon se shumica e qytetarëve nuk e mbështesin qeverinë, por nuk kanë besim as tek opozita. Thirrjet “dilmi nga shtëpitë se po fillon revolucioni” nuk nxitën shumë njerëz.

Me vendin e dytë në dorë, Berisha do tia behë sërish tani tek dera e selisë, për të kërkuar me të drejtën e mazhorancës në PD të bëhet zot i asaj shtëpie. Kamerat do të rikthehen tek selia blu, pas një armëpushimi elektoral. Berisha mund ta marrë edhe selinë, edhe partinë, por ai nuk do ta bëjë dot opozitën. Ai nuk do të frymëzojë dot as të gjithë anëtarësinë e PD-së, dhe padyshim as elektoratin gri.

Socialistët, me një pushtet të stazhionuar, me një parti të organizuar me celula deri në çdo pallat e fshat, nuk munden dot me matematikë votash. Përmbysja kërkon masivitet, kërkon frymë dhe Berishas tregoi se nuk frymëzoi dot më shumë sesa njerëzit e oborrit të tij. Nuk e bëri këtë as në Durrës, as në Lushnje e as në Vorë. Thesi i tij u mbush edhe me vota të LSI-së dhe vota hakmarrësish ndaj Bashës. Shkodra nuk i mjafton, ajo thjestë përsëriti veten.

Vendi ka realisht nevojë për një opozitë tashmë dhe ajo nuk mund të vijë as nga Basha e as nga Berisha. Zgjedhjet e të dielës e konfirmojnë këtë. PD është tashmë një ngrehinë e shkatërruar. Megjithatë ajo ka lëndë të para për ta rindërtuar shtëpinë. Por këtë s’mund ta bëjë asnjëri prej tyre. Nëse ata do të vazhdojnë të këmbëngulin të jenë sërish aty, duke luftuar për bravën, atëherë vendi do të shkojë drejt një autoritarizmi gjithnjë e në rritje, drejt një “demokracie” të tipit bjellorus.