Është ndarë nga jeta, në moshën 90-vjeçare, këngëtari i shquar Qemal Kërtusha.
Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931. Përfshihet në lëvizjen amatore artistike të qytetit që në vitin 1946. Në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.
Në vitin 1962 është pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në 17 festivale rresht. Në vitin 1963 ai përgatit dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”.
Një këngë unë për ju do këndoj,
që Durrësit me mall ja kushtoj,
E ngrohët, e lirë le të tingëllojë.
Dhe jehona e saj, në çdo anë le të ushtojë.
Sot kangën ma t’bukur krenare
qytetit ku linda ja këndoj.
Kudo melodia gazmore.
e ngrohët, e lirë le t’kumbojë.
Të falem i bukuri Durrës.
Me mall, me afsh të këndoj.
S’të harroj, unë ty kurrën e kurrës:
me asnjë qytet, nuk të ndërroj.
Rrethuar me kodra bleroshe,
që sipër të rrinë kunorë.
I vogël, i lanun dje ishe,
por sot je një port madhështor.
O Durrës i dashur me nam,
gjithnji këtu në zemër të kam!
Gjithnji të kam,
me mall këndoj gjithmonë.
Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.
Në repertorin e tij numërohen mbi 1 000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Kërtusha është vlerësuar me titujt: “Qytetari i Nderi i Durrësit”, “Mjeshtri i Madh”, “Artisti i Merituar”,