Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, është ende i dashuruar me Lionel Messin. Në një intervistë të gjatë për “Olé”, Guardiola ka folur edhe për marrëdhënien e tij me kampionin argjentinas:
“Sigurisht që suksesi në Kupën e Amerikës ishte një çlirim i madh për të. Nuk është e lehtë të jesh Messi në këtë botë. Dhe tani ai do të mundohet të fitojë Botërorin, nuk kam dyshime. S’kam folur me të pas ‘Copa América’, por sigurisht ia uroj suksesin në Katar.
Çfarë ka ndryshuar në lojën e tij? Leo është veteran tashmë, energjia që kishte 20 vjeç nuk është më njësoj. Të gjithë ndryshojmë, të gjithë jemi të ndryshëm. Ai gjithashtu ka ndryshuar, ka luajtur qindra ndeshje dhe po përshtatet siç duhet.
Kur ishte 20-21 vjeç, Leo kishte aq shumë energji për t’u përballur me botën, këmbët dhe rinia e tij e ndihmuan të përballonte sfidat. Sot, në moshën 34-35 vjeç, ai është mjaft i zgjuar për të ditur kur duhet të vrapojë dhe kur jo”.
Guardiola gjithashtu pranoi ndikimin që Leo kishte në karrierën e tij: “Çfarë do të thotë Messi? Gjithçka. Ishte një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm, që e ndihmuan atë te Barcelona, në ato katër vite që ishim bashkë. Lojtarë mbresëlënës. Shumë yje në kulmin e karrierës së tyre, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Xavi, Puyol, Iniesta…
Mes të gjithëve është krijuar një mirëkuptim që ndodh vetëm një herë në jetë. Kemi fituar shumë, por a do ta kishim bërë pa atë? Jo, e pamundur. Messi është si Michael Jordan, i kam borxh një shishe të mirë verë për ta falënderuar për kontratat që më bëri të nënshkruaj”.
Argjentina shihet prej tij si një ndër favoritët për Botërorin e këtij viti: “Forca e grupit është thelbësore. Në një turne kaq të shkurtër sa një Botëror peshon shumë. Më shumë se qasja taktike, e cila në këto turne ka pak rëndësi. Fitimi i Kupës së Amerikës gjeneron entuziazëm.
Kam parë pak ndeshje të ekipit të Scaloni, por rezultatet janë të shkëlqyera. Ai nuk ka humbur për një kohë të gjatë. Dhe kjo të jep forcë. Më pas është Messi, i cili mund ta fitojë një ndeshje vetë, por gjithashtu ka aftësinë unike për të krijuar dy ose tri situata në lojë nga asgjëja; për t’iu mundësuar lojtarëve si Di María, Lautaro ose Julián Álvarez të shënojnë”.
Disa fjalë edhe mbi marrëdhënien me Agüero: “Sergio është shumë inteligjent, i kupton konceptet e futbollit. Ajo që bëri në Angli nuk ka të dytë. Ka një Manchester City para dhe pas tij. Ai është golashënuesi më i mirë, do të mbetet në histori.
E kuptoj që nuk ishte e lehtë për të që të përshtatej me mënyrën tonë të lojës, nuk ishte mësuar me vrapimin dhe presingun. Unë e respektoj shumë, sepse e konsideroj futbollistin më të rëndësishëm argjentinas në historinë e futbollit anglez. Sergio ishte më i madhi, deri tani.”