Fitorja e pretenduar elektorale e Sali Berishës në 6 mars e ka shkaktuar një tërmet. Por është tërmet i pjesshëm dhe me pasoja lokale. Ka dëmtuar rëndë zyrën e Lulzim Bashës, i ka thyer orenditë dhe ka plasaritur muret e selisë zyrtare të PD. Por ka dështuar të japë një sinjal politik me rezonancë kombëtare. Ka shkundur opozitën, jo pushtetin.
E gjitha kjo për një arsye shumë të thjeshtë numerike: Berisha ka mundur Bashën, por as që i është afruar fjala vjen Voltana Ademit, në bashkinë e vetme që fitoi, në Shkodër, qëkurse opozita ka marrë pjesë në një palë zgjedhje lokale.
Le ta shpjegojmë numerikisht fitoren e vogël të Sali Berishës në Shkodër, pasi në bashkitë e tjera ai duhet të kënaqet me vendin e dytë. Në zgjedhjet e fundit lokale, në vitin 2015, kandidatja demokrate për Shkodrën Voltana Ademi mori 38,7 mije vota. Siç dihet, në 2019 opozita i bojkotoi zgjedhjet. Duhet thënë se Voltana Ademi i mori rreth 39 mijë votat në kushtet kur aleanca PS-LSI bënte që ajo ta kishte përballë, e jo në krah, partinë e Ilir Metës. Dhe siç dihet LSI ka jo pak vota në Shkodër.
Shtatë vjet më vonë shumë ujë ka rrjedhur nën urën e Bunës dhe shifrat e opozitës nuk janë aty ku ishin në vitin 2015. Megjithëse fitoren e mori sërish një kandidat i djathtë, Bardh Spahia. Kryebashkiaku i ri mori në 6 mars 20.1 mijë vota me siglën e Shtëpisë së Lirisë. I mori duke pasur me vete edhe votat e LSI, që këtë radhë, siç ka ndodhur jo rrallë që nga viti 2004, ka ndërruar llogore.
Spahia është pra sot më shumë se 18 mijë vota prapa Voltana Ademit, megjithëse Sali Berisha deklaron përditë se kjo ka qenë fushata e tij më e mirë për zgjedhjet lokale, qëkurse është në politikën aktive. Berisha e thotë me zë të plotë dhe me mburrje se është rikthyer. Dakord që është rikthyer, po në çfarë termash, në çfarë shifrash dhe përmasash? Po ndërton një strehë për vete, prej ku të vijojë sherrin me Amerikën, apo po përgatit fitoren ndaj Edi Ramës?
Po ndodh e para, jo e dyta. Sali Berisha mund të jetë i kënaqur me veten, por duhet të pyesë demokratët, nëse ai premton rrëzimin e Ramës kur s’ka arritur të rrëzojë as Voltanën.
Për ta plotësuar Vaterlonë e shifrave të së djathtës aktuale përballë zonjës që qeverisi Shkodrën në shtatë vitet e fundit, mund t’i shtojmë 20 mijë votave të Spahisë edhe 7.7 mijë votat e kandidatit të Lulzim Bashës. Sërish, të dyja fraksionet e sotme të PD-së rezultojnë më shumë se dhjetë mijë vota nën Voltana Ademin e vitit 2015.
Rezultati i Voltana Ademit shtatë vite më parë përbën një nivel fiziologjik mbështetjeje që PD ka në atë pjesë të vendit. Është një fakt i ditur se Shkodra dhe Vlora janë dy bastione që nuk ndërrojnë krah prej dekadash, secila në ngjyrën e vet politike.
Opozita e sotme duhet ta kishte atë rezultat si objektivin parësor, për të shpresuar për themele të shëndosha për projektin e rikthimit të saj në pushtet. Ajo që ndodhi është në fakt diçka krejt e ndryshme. Në 6 mars, si në Shkodër ashtu dhe në pesë bashkitë e tjera ku u votua, Berisha dhe Basha morën një leksion të hidhur për qorrsokakun ku e futën PD në vjeshtën e shkuar. Rënia në shifra e opozitës (në vend që të binte pushteti nëntëvjeçar i Edi Ramës), shënon batakun e rrezikshëm ku ka rënë e djathta, pas shpalljes non grata të Sali Berishës. I cili mund të këndojë sa të dojë fitoren në Shkodër, por duhet t’u thotë shkodranëve e shqiptarëve se çfarë fitoreje arriti: atë të menaxhimit të taksave bashkiake dhe të kanalizimeve të Shkodrës, apo fitoren që të çon në krye të shtetit në të ardhmen e afërt?!