Kryeministri Edi Rama thotë se rritja e çmimeve është si pasojë e luftës në Ukrainë. Në një dalje live në Facebook, ndërkohë që qytetarët protestonin, Rama u shpreh se ajo që ka rëndësi është çmimi i energjisë, për të cilin garantoi se nuk do të ketë asnjë ndryshim për familjet shqiptare.
Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria nuk mund të ndërhyjë në tregun e lirë të çmimeve, ndërsa paralajmëroi se qeveria do ti dalë në mbrojtje njerëzve duke thene se kanë gati skenarët për përballimin e rritjes së çmimeve si pasojë e luftës.
“Ja ku jemi sot, jemi në një situatë kur njëri prej prodhuesve të mëdhenj të naftës dhe gazit ka hyrë në luftë dhe çmimet kanë kërcyer.
Çmimi në fature është po ai që ishte kur nuk kishte krizë. Ata që thonë mos na i thuaj këtë, shiko naftën Po u them se detyrën po bëj.
Duke bërë detyrën ne kemi gjykuar se është detyra jonë që të mbrojmë qytetarët nga rritja e çmimit të energjisë.
Kjo qeveri mund të akuzohet për çdo gjë, por kurrën e kurrës për mos pasjen e vëmendjes ndaj qytetarëve.
Energjia i prek të gjithë, edhe pensionistët që nuk konsumojnë naftë.
Edhe fermerët që naftën e marrin pa asnjë taksë. Fermerët e marrin naftën pa taksa, edhe për të gjithë qytetarët që nuk përdorin makinat.
Duke mbrojtur çmimin e energjisë ne mbrojmë të gjithë.
Energjia është një mall që ende e shet shteti.
Nafta është një mall në tregun e lirë. Që kur kemi zgjedhur lirinë e tregut kemi hequr dorë nga kontrolli i çmimit në treg. Shqipëria është një vend demokrat në lirinë e tregut dhe shteti nuk cakton çmimin e mallrave. Kjo nuk është ideologji, por eksperienca tregon se shteti nuk vendos dot çmime. Nuk kontrollon dot çmime. Ne do të kemi skenarët e përballimit nga një luftë që nuk ka nisur Shqipëria dhe nuk e dimë sa do të zgjasë”, tha Rama.