Sali Berisha, po e thotë çdo ditë se “po rikthehem”. Ai po e deklaron çdo ditë se “do të bëhem kryetar partie, por edhe kryeministër, Ramën do ta mund me votë”. Dhe ajo çështë më e habitshme, mediat pranë tij, po e pasqyrojnë mrekullisht “ambicjen” dhe dëshirën e madhe të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit veteran të Partisë Demokratike.Nuk janë pak, ato media të shkruara, portale dhe televizione, që madje hapin edicionin e lajmeve me tituj të tillë si “Berisha drejt fronit të kryetarit të PD”, apo “Berisha nuk e fsheh ambicjen për tu bërë kryeministër”.
Këto mënxyra në fakt, ngjasin vetëm në Shqipëri, edhe pse kanë kaluar 31 vjet nga ardhja e demokracisë. Por duket se kjo nuk është e rëndësishmne. Ky vend u drejtua me mentalitete bajraktariste për afro 2 dekada, dhe pasojat e atij drejtimi mysybet, ndjehen edhe sot në brezat e rinj. Berisha përgjatë qëndrimit aktiv në PD edhe pas dorëheqjes, i bëri edhe të rinjtë si vehten.
Ata e shohin atë si “perëndi”, si “njeriun që do ti bashkojë, do ti shpëtojë, do ti sjellë në pushtet”. sa turp dhe gjynah, për ata djem dhe vajza që prezantohen sikur ti kenë shterruar forcat, idetë, mendimet, dhe formimi i tyre arsimor dhe intelektual. Nuk jam për qëndrimin e Bashës, madje asnjë minutë të vetme pas humbjes së 6 Marsit. Por ti “frysh” mendimit dhe të ekzaltohesh se “po vjen Berisha të shpëtojë partinë”, dhe të shprehesh edhe pse ai ka dalë nga politika se “do ta bëjmë kryeministër”, është më tepër se idiotësi politike. Në një kohë kur duhej të ishte frenimi, shohim me habi se si po propogandohet me të madhe “rikthimi” i tij. Kjo ndodh vetëm në këtë vend, ku edhe pse vuajtëm 45 vjet nga pushteti i një njeriu të vetëm, edhe pse menduam se demokracia ka ardhur dhe po konsolidohet, duket se diçka po ndodh.
Rikthimi (që në fakt duhej të ishte frenimi)i ish-kryeministri të PD-së, duket më shumë si një mision ndjellakeq për atë parti, por edhe për fatet e demokracisë në Shqipëri. Shpallja “non-grata” e Berishës, nuk u bë mësim dhe pësim për ata që, menduan se “tashmë ai nuk rikthehet më në politikë”. Skena politike shqiptare, ka 31 vjet që vuan pasojat e një grushti njerëzish që zaptuan partitë, selitë, pushtetin, që u pasuruan dhe që sot (rroftë sebepi) deklarojnë se “do të rikthehem, më kërkon anëtarësia, më duan shqiptarët, do të bëhem sërish kryetar, kryeministër, madje dhe mbret”.
Frenimi dhe jo rikthimi, duhej të ishte misioni i atyre që sot dhe gjithë ditën, mbajnë shpresën e humbur se, ‘do të përmbysim Ramën, do të marrim selinë, do të vijmë në pushtet, me Sali Berishën mbret”. Çdo ditë që kalon, duke mbështetur të shkuarën, i bën dëmin më të madh jo vetëm politikës, por edhe lirisë, demokracisë, dhe të ardhmes së këtij populli.