MENU
klinika

Arrestohen 2 hajdutët

Grabitën lokalin dhe kanosën me armë pronarin

14.03.2022 - 11:34

Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen si autorë të disa grabitjeve në Kavajë, Tiranë, Krujë, Kukës e Pukë. Rasti më i fundit ishte grabitja e një lokali në Kavajë dhe kanosja e pronarit që të mos kallëzonte krimin.

Pas denoncimit, policia nisi operacionin ‘Shtegtarët’, ku në pranga ranë Besjan Dedaj, 33 vjeç nga Fushë Kruja e Sajmir Voka, 28 vjeç nga Tirana.

Si ndodhi ngjarja? Dy autorët në një lokal në Golem, kanë vjedhur televizorë e sende të tjera, dhe pas disa ditësh, kanë shkuar përsëri në lokal dhe kanë kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, për të mos kallëzuar. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, me qëllim që klientët të mos tregonin e të mos njoftonin Policinë, u kanë marrë 4 klientëve, aparatet celulare dhe janë larguar.

Dy të arrestuarit janë autorë edhe të vjedhjes së një banese në Kavajë, si dhe disa automjeteve që i kanë çuar për pjesë këmbimi në Kukës.

Gjatë aksionit u sekuestruan 1 kallshikov, një sasi municioni luftarak si dhe një shumë parash 700.000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale.