Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një deklaratë dhënë për televizionin serb “B92”, tha se duke filluar nga e enjtja e 10 marsit, “vendi ynë do të ndalojë eksportet e vajit, misrit, grurit dhe miellit”.
Kjo lëvizje, sipas tij, vjen si një mënyrë për të siguruar çmime të qëndrueshme, si për Serbinë ashtu edhe për rajonin, në rast se Rusia ndalon eksportet e grurit dhe misrit.
“Në dy ditët e fundit, eksportet e vajrave bimore u rritën me 109% krahasuar me nivelin mesatar, kështu që duhej të reagonim”, shpjegoi Vuçiç.
Si do të reflektohet kjo në ekonominë shqiptare?
Në një kohë që importet e miellit po ulen në Shqipëri, gjatë një prononcimi për mediat, kryetari i Unionit Tregtar Agroushqimor, Theodhor Kristuli, deklaroi që Shqipëria ka sasi të mjaftueshme të miellit.
Në vijim, ai shpjegon se “brenda një dite, në tetë fabrika prodhohen rreth 1 mijë e 800 tone miell, “ndërkohë që për konsumin në Shqipëri nevoja është vetëm 700 ton”.
“Por kjo nuk do të thotë”, shton ai, “se çmimi nuk do të rritet”.
Sipas kryetarit të Unionit Tregtar Agroushqimor, është paniku ai që po sjell abuzim në çmim, jo prodhuesit.
“Rritja e çmimit të miellit është e sigurt, për shkak të rritjes së energjisë elektrike, por paniku i njerëzve për të marrë sa më shumë sasi që ta blejnë më lirë, po e shton çmimin edhe më shumë”.
Nga Serbia u importua 36% e drithërave në 2021
Sipas të dhënave të Institutit Statistikor shtetëror INSTAT, Serbia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë për importin e drithërave.
INSTAT-i, për vitin e kaluar, ka publikuar të dhënat se në Shqipëri u importuan rreth 326 milionë kilogramë drithëra.
Nga këto, 36%, apo 117 milionë e 360 mijë kilogramë, erdhën nga Serbia dhe 46%, apo 149 milionë e 960 mijë kilogramë, u importuan nga Rusia.
A ka Shqipëria mjaftueshëm miell, edhe pa atë serb? Si do të reflektohet kjo në ekonominë e vendit
Ilustrim, marrë nga INSTAT
Nga ana tjetër, importuesit e drithërave dhe përpunuesit e miellit pohuan se, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, vendet nga të cilat importohen drithërat, u diversifikuan.
Tregtarët pohuan se gjetën tregje të tjera në Evropë, si në Bullgari, Francë, Rumani dhe Itali, apo në Amerikën Latine.