Kryeministri Edi Rama gjatë paradites së kësaj të mërkure ka prezantuar pikat e Paketës së Rezistencës Sociale me përfaqësuesit e biznesit të vogël në Durrës, duke theksuar sërish faktin se biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë, prandaj dhe i ka taksat zero.
Gjatë fjalës së tij ai përmendi protestat që po zhvillohen ditët e fundit për rritjen e çmimeve, duke thënë se edhe ata që i instrumentalizojnë këto e dinë shumë mirë që kriza është pasojë e luftës, ndaj dhe turpi i tyre është më i madh.
“Bizneset e vogla janë aleati ynë më i rëndësishëm që për të cilët jo rastësisht si asnjë vend tjetër në rajon ka taksa zero dhe paguan zero TVSH. Rrugës kur po vija po shikoja disa grafikë nga burime serioze ndërkombëtare të cilave iu referohet e gjitha bota për rritjen e çmimeve, qoftë të naftës, qoftë edhe të ushqimeve. Janë kaq kuptimplota për njëtrajtshmërinë e rritjes së çmimeve dhe për përputhjen e kësaj rritje të çmendur, ekzaktësisht me çmendurinë e luftës.
Këtë e ka sjell lufta duhet të jesh krejtësisht i papërgjegjshëm që ta mohosh, në rast se ti e di. Unë besoj se ata të cilët bën përpjekjen për të instrumentalizuar protestat, e dinë që këtë e ka sjell lufta dhe kjo e bën turpin e tyre edhe më të madh. Në këtë luftë ne jemi në krahun e atyre që janë të kërcënuar te pastrohen etnikisht nga territori i tyre.”, tha ai.