MENU
klinika

Dhëndrin e ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini

Gjykata dënon me 18 vite burg Sokol Sanxhaktari

16.03.2022 - 13:48

Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 18 vite burg dhëndrin e ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari, i akuzuar për vrasjen e Florian Lamçes në qytetin e Elbasanit. Po me kaq vite burg u dënua edhe miku i tij, Adriano Hajdari. Ndërkohë prokuroria për të dy kishte kërkuar dënimin me nga 20 vite burg.

Për dy bashkëpunëtorët e tjerë, Amadeus Lamcja dhe Mehmet Muça, që akuzohen për moskallëzim krimi gjykata i ka dënuar me nga 5 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 korrik të viti 2020 në orën 4 të mëngjesit, kur Sanxhaktari, Hajdari dhe Florian Lamçja ndodheshin në një lokal në Elbasan duke konsumuar pije alkoolike dhe nargjile.

Florian Lamçja gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të shumta me karrige në kokë. Veç dëmtimeve të shumta në fytyrë, kishte një të çarë me mjet prerës në parakrahun e dorës së djathtë.

Po kush është Sokol Sanxhaktari, ‘i paprekshmi’ i Elbasanit? Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini ka mbi supe një histori të gjatë kriminale.

Ai dyshohet se është i përfshirë në grupin e bandës së Suel Çelës, një emër edhe ky jo pak i njohur për profilin e tij kriminal. Suel Çela akuzohet si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

Sokol Sanxhaktari është vënë disa herë në prangat e policisë për vepra të ndryshme penale, por që gjithmonë ‘ia ka hedhur paq’, duke fituar lirinë shumë shpejt, qoftë edhe pas dënimeve që i janë dhënë nga gjyqtarët.

Sanxhaktari njihet si ‘i paprekshëm’ në profilin e tij kriminal, duke pasur parasysh faktin se në shumë raste ishin viktimat të tërhiqeshin nga akuzat, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit.