MENU
klinika

ANALIZA

BE-ja duhet t’i bëjë Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor një ofertë të re

17.03.2022 - 17:09

Në samitin e tij në Versajë, më 10-11 mars, Bashkimi Evropian sërish nuk arriti të përballej si duhet me situatën e vështirë. Në “Deklaratën e Versajës”, Ukrainës nuk iu dha perspektiva për t’u bashkuar me komunitetin, por duhej të mjaftohej me pohimin e vazhdueshëm se ajo i përket “familjes evropiane”. Kur bombat bien në Kiev, Kharkiv ose Mariupol, çdo diskutim rreth anëtarësimit të Ukrainës në BE duket se nuk ka ndonjë rëndësi.

Kërkesa për anëtarësim në BE, e paraqitur më 28 shkurt nga Kievi, të cilës më vonë iu bashkuan edhe Moldavia dhe Gjeorgjia, është megjithatë një akt i rëndësishëm politik. Ukrainasit ndihen të lidhur me vlerat e BE-së, të cilat po minohen brutalisht nga agresori rus. Nuk është rastësi që moldavët dhe gjeorgjianët të druhen se mund të bëhen viktimat e ardhshme të luftërave të Rusisë.

BE-ja nuk duhet të refuzojë angazhimin e tyre ndaj Evropës. Pasi Komisioni Evropian të ketë shqyrtuar të gjitha aplikimet, BE-ja do të thotë gjithashtu fjalën e saj. Kështu thuhet edhe në deklaratën e samitit. T’u ofrohet tre vendeve të Evropës Lindore perspektiva e pranimit do të ishte padyshim një sinjal i mrekullueshëm politik. Por perspektiva e anëtarësimit nuk duhet të mbetet një gjest bosh. Në funksion të situatës së re gjeopolitike, ajo duhet kuptuar si një angazhim strategjik nga ana e BE-së. Ajo duhet të pasohet nga hapa konkretë dhe të mirëmenduar. Mbi të gjitha, BE-ja duhet të përgatitet të largohet nga rruga e vjetëruar e politikës së saj të zgjerimit të dy dekadave të fundit.

Zbrazëtia e statusit kandidat

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian. Foto: Twitter/Ursula von der Leyen.

Nuk duhet të gënjejmë veten: statusi i vendit kandidat për në BE nuk ka pothuajse asnjë rëndësi praktike. Dhe ndoshta nuk do të fitojë asnjë rëndësi për vitet apo edhe dekadat në vijim. Kjo është përvoja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat prej shumë vitesh janë kandidate për anëtarësim në BE pa parë shumë dritë në fund të tunelit.

Arsyeja për këtë është procesi i mundimshëm dhe tepër burokratik i negociatave që zvarritet pafundësisht. Ka kërkesa të larta për reforma, të cilat janë formuluar me arsye të mirë, por që në praktikë mund të instrumentalizohen nga vendet në BE që janë kritike ndaj zgjerimit. Në veçanti, skepticizmi i rrënjosur thellë në lidhje me zgjerimin në shtetet e rëndësishme anëtare nuk do të zhduket së shpejti, me gjithë keqardhjen aktuale për Ukrainën. Procesi i anëtarësimit në BE, fillimi i të cilit shënohet gjithmonë me fjalime të larta dhe gjeste simbolike, në vitet e fundit është shoqëruar me amulli në vend të besimit për të cilin shtetet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dëshpërimisht nevojë tani.

Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht politikën e saj ndaj fqinjëve të saj evropianë, pavarësisht nëse dëshiron t’i japë Ukrainës statusin e kandidatit apo jo.

Çfarë do të thotë kjo për Ukrainën në terma konkretë? Para së gjithash, Ukrainës, natyrisht, do t’i duhej një plan rindërtimi, nëse i mbijeton luftës si një shtet sovran. Pa struktura funksionale shtetërore-administrative apo infrastrukturë të paprekur, BE-ja nuk do të kishte asnjë partner real me të cilin do të mund të negocionte.

Megjithatë, pavarësisht nga kjo, vendi ka mbi të gjitha nevojë për një synim realist dhe tërheqës që promovon evropianizimin e vendit, pra që konkretizon rrugën drejt BE-së. Sepse edhe nëse Ukraina do të ishte një vend kandidat zyrtar, nuk ka dyshim se anëtarësimi i plotë në BE do të ishte shumë larg. Nuk do të kishte asnjë procedurë të përshpejtuar pranimi për Ukrainën e goditur, nuk do të kishte reduktime për sa i përket sundimit të ligjit ose në zbatimin e kushteve të anëtarësimit.

Në funksion të kësaj, BE-ja mund dhe duhet të zhvillojë një strategji të re, një “partneritet gjithnjë e më të ngushtë” me Ukrainën dhe vendet e tjera në fqinjësinë Lindore dhe Ballkanike.

Anëtarësimi në EEA është një fillim

Thelbi i një oferte të re realiste nga ana e BE-së duhet të jetë integrimi i hershëm në tregun e përbashkët në formën e anëtarësimit të Ukrainës në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA).

Anëtarësimi në EEA ndryshon nga anëtarësimi në BE, veçanërisht në atë që lejon pjesëmarrjen e plotë në tregun e vetëm pa përfshirje politike në strukturat vendimmarrëse të BE-së. Ky është integrimi maksimal me BE-në pa anëtarësim formal. Për Ukrainën, si dhe Moldavinë dhe Gjeorgjinë – por edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor – kjo do të rezultonte në një lidhje më intensive me BE-në sesa është e mundur me Marrëveshjet aktuale të Asociimit.

Natyrisht, as anëtarësimi në EEA nuk mund të ndodhë brenda natës. Ai kërkon jo më pak përgatitje dhe përshtatje sesa anëtarësimi në BE. Megjithatë, ndryshimi me procesin aktual të zgjerimit të BE-së do të ishte i madh. Pa perspektivën e pranimit të vendeve në sistemet institucionale të BE-së, një argument i rëndësishëm kundër përfshirjes së Ukrainës në një zonë thelbësore të integrimit evropian bie. Ndryshe nga procesi shumë i politizuar i zgjerimit, ku temperamentet dhe interesat e pjesshme të shteteve anëtare shkaktojnë gjithmonë bllokada, perspektiva e anëtarësimit në EEA duhet të bazohet në kritere të qarta dhe një angazhim të vendosur nga BE-ja. Kjo do të përcaktonte një objektiv të ndërmjetëm konkret dhe të prekshëm që do të jepte stimuj për përpjekjet reformuese pa braktisur objektivin e anëtarësimit të plotë. Përkundrazi, rezervat politike ndaj pranimit të një vendi do të ishin dukshëm më të ulëta, nëse kjo fazë e ndërmjetme, e cila gjithsesi është e nevojshme për anëtarësimin në BE, do të përfundonte me sukses.

Nuk ka dyshim se në rastin e Ukrainës, e cila është dobësuar ekonomikisht nga lufta, do të nevojiteshin masa të përkohshme, asimetrike mbrojtëse për tregun. BE-ja duhet gjithashtu të konsiderojë ofrimin e fondeve të kohezionit dhe përfshirjen e pjesshme në Politikën e Përbashkët Bujqësore në një masë të caktuar për vendet pjesëmarrëse pas anëtarësimit të mundshëm në EEA.

Sado që sot është e rëndësishme të formulohet dhe të komunikohet një synim i realizueshëm, afatmesëm, është e qartë se edhe kjo qëndron larg në të ardhmen. Kjo e bën edhe më të rëndësishme thellimin e formave ekzistuese të bashkëpunimit midis BE-së dhe vendeve që dëshirojnë të integrohen përtej kufijve të saj lindorë në vitet e ardhshme. Kjo vlen mbi të gjitha për politikat energjetike dhe klimatike. Sot, BE-ja nuk po përpiqet vetëm për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, por edhe për një rishikim të politikës së saj të sigurisë energjetike. Ukraina dhe vendet e tjera fqinje që duan të anëtarësohen në BE duhet të mendohen që në fillim si pjesë e këtij transformimi.

Prandaj, do të ishte e nevojshme të zhvillohej një “Partneritet Evropian i Klimës dhe Energjisë” i integruar me këto vende. Në këmbim të një transformimi të orientuar nga qëndrueshmëria, i cili mund të mbështetet nga një Fond i Gjelbër për Evropën Lindore, partnerët, për shembull, do të përjashtoheshin nga mekanizmi i planifikuar i rregullimit të kufirit të CO2 (CBAM). Parimi i solidaritetit energjetik mund të shtrihet edhe tek ata.

E gjithë kjo mund të bazohet në bashkëpunimin ekzistues në kuadër të Komunitetit Evropian të Energjisë. Shembulli i fundit i Moldavisë, ndër të tjera, tregon se BE-ja duhet të jetë e përgatitur për të zgjeruar përpjekjet e saj për të përmirësuar elasticitetin energjetik të vendeve fqinje. Sigurisht, në një kuadër të tillë bashkëpunimi mund të përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

E gjithë kjo tingëllon abstrakte, madje edhe zhgënjyese, në këto ditë lufte. E megjithatë BE-ja thjesht nuk mund të qëndrojë duke parë. Nëse merr masa tani, BE-ja ka shansin të jetë një herë disa hapa përpara ngjarjeve dhe jo thjesht të detyrohet të vrapojë pas tyre. Megjithatë, që kjo të ndodhë, ajo ka nevojë edhe për stimuj që sigurojnë që të futen iniciativat, të fillojnë proceset dhe të avancojnë zhvillimet. Është e qartë se Gjermania dhe Polonia janë të paracaktuara për të luajtur këtë rol. Ato duhet të punojnë për të garantuar që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Megjithatë, duke pasur parasysh dallimet e tyre për këtë çështje, ato nuk duhet të përfshihen në diskutime rreth detajeve formale. Është më e rëndësishme që Berlini dhe Varshava të nisin bashkëpunimin afatgjatë bazuar në angazhimin e fortë politik.

Sapo të pushojnë armiqësitë, BE-ja duhet të ketë një ofertë ambicioze dhe realiste për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, duke shkuar përtej formatit të Partneritetit Lindor dhe duke shmangur grackat e politikës së mëparshme të zgjerimit. Vetëm atëherë perspektiva evropiane për këto vende do të jetë një burim i vërtetë shprese për qytetarët e tyre dhe për BE-në.