Kryeministri Edi Rama bëri dje një hap pas sa i përket ekonomisë së tregut, duke marrë përsipër kontrollin e plotë të çmimeve të shportës.
Pavarësisht deklaratave të para pak ditësh se qeveria nuk do të ndikojë mbi çmimet, Rama njoftoi se do të ndërhyjë duke ngritur një bord për administrimin e çmimit të shportës, ku nuk do të lejohen abuzimet. Madje kush nuk respekton çmimin e vendosur, humbet mallin.
Në këtë mënyrë, pas karburantit, edhe çmimet e produkteve bazë të shportës ushqimore do të vendosen nga qeveria në bashkëpunim me përfaqësues të tregtarëve të mëdhenj dhe të vegjël. Kryeministri, gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve për masat që po ndërmarrim nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale, deklaroi se, pavarësisht që nuk beson te ndërhyrja në treg, tani jemi në kushte të jashtëzakonshme dhe një gjë e tillë është e domosdoshme.
“Nuk besoj te ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për një kohë normale dhe krizat organike të një kohe normale, siç ishte ajo e inflacionit në të gjithë botën, me një rritje të lehtë, jo të pandjeshme të çmimeve hap pas hapi në periudhën e fundit. Sot nuk jemi në këto kushte, jemi në kushte të tjera, kriza nuk është organike. Është e imponuar nga një agresion ushtarak”, deklaroi z. Rama.
Në një situatë të tillë, Kryeministri u bëri të qartë përfaqësuesve furnizues të ushqimeve bazë se qeveria do të ndërhyjë menjëherë për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë dhe ngrirjen e marzheve të fitimit. ”Shumica i hedh fajin pakicës, pakica i hedh fajin shumicës në diskutimin mbi çmimet. Për të mos pasur hedhje faji te njëri-tjetri, do të futemi dhe ne në këtë mes dhe do të krijojmë një bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ndërmarrja e një hapi të tillë ekstrem në kushtet e një ekonomie tregu të lirë është e pashmangshme, e që kush nuk do ta respektojë, duhet të marrë parasysh pasojat që parashikohen në ligj. Masa të ashpra, nga gjoba deri në konfiskim të prodhimit për të gjithë operatorët që nuk zbatojnë vendimet e bordit, paralajmëroi kreu i qeverisë, të cilat do të zbardhen me detaje në ditët në vijim.
“Jo me arbitraritet, por me ligj e zakon. Do kalojmë akt normativ. Nëse dikush do të lozë me çmimet, do të ndëshkohet. Kush nuk do të pranojë këtë vijë sjelljeje, do të duhet të përballet pastaj me masa ekstreme. Kush rrit çmimet mbi atë që vendoset, do të humbasë deri edhe të drejtën për të tregtuar. Kontrollet do të jenë të vazhdueshme. Kush do të vendosë çmime të ndryshme nga çmimet e vendosura aty, do të humbasë prodhimin, do t’ia konfiskojmë. Do të operoni pa pasur asnjë problem për të paguar punëtorët njësoj. Për të ndërruar veturën, marrë ndonjë shtëpi tjetër apo ku di unë, për momentin jo”, theksoi Kryeministri.
Edhe tregtarëve që pati dje përballë, Edi Rama iu sugjeroi që ta shohin respektimin e aktit normativ si mjet për pastrimin shpirtëror.
“Është edhe një shans i madh të lani ca mëkate nga ato që keni bërë gjatë rrugëtimit tuaj. Imagjino sikur të nxirrni fitime sot mbi gjakun e atyre që vriten andej edhe mbi lotët e këtyre që janë këtej. Këtu nuk e kam për ata që protestojnë, se për ata unë në fakt bashkëpunoja me ju për ta bërë çmimin e vajit dyfish”, u shpreh kreu i qeverisë.