MENU
klinika

Mbrojtësi kuqezi për Supersport

Gjimshiti: Do ta vëmë në vështirësi Spanjën

22.03.2022 - 21:09

Berat Gjimshiti është prej vitesh një prej lojtarëve më të mirë të kombëtares, absolutisht një nga të preferuarit dhe më të dashurit për tifozët shqiptarë.

Mbrojtësi nga Lugina e Preveshës po përjeton një aventurë fantastike me Atalantën, që do të zgjasë deri në vitin 2026 sipas akordit të rinovimit që u firmos ditën e hënë.

29-vjeçari, autor 43 ndeshjeve dhe një goli me Shqipërinë, në një intervistë me gazetarin Sokol Xhihani në Supersport preku disa tema gjatë rrëfimit të tij, duke nisur nga rikthimi në kombëtare, dy miqësoret me Spanjën (26 mars) dhe Gjeorgjinë (29 mars), e duke përfunduar te Adrian Bajrami.

Si e gjete ekipin? Besoj që jam shumë i lumtur që u riktheva pas 6 muajsh, kombëtarja më ka munguar sigurisht. Çunat i pashë shumë mirë, me shumë dëshirë për të bërë mirë në këto dy ndeshje.

Keqardhje për mungesat në kombëtare? Më ka ardhur keq për veten më shumë, sepse doja të luaja dhe të isha në formë. Ishin lojëra të rëndësishme për të shkuar në Botëror. Fati nuk deshi, por prapë çunat kanë bërë lojëra shumë të mira. Tani jam rikthyer, jam i lumtur.

Spanja? Miqësoret, sidomos në futbollin e sotëm, nuk janë thjesht miqësore, pasi çdo ekip dëshiron të fitojë ndeshjen. Garant që ne do japim maksimumin, do provojmë të vëmë në vështirësi një nga kombëtaret më të forta në botë. Do provojmë t’i vëmë në vështirësi me cilësitë tona.

Mund ta rrisim më tepër cilësinë? Po, mundet. Mund të mësosh shumë nga këto ndeshje. Edhe trajneri ka nevojë të shohë disa lojtarë të rinj që kanë ardhur për herë të parë në kombëtare. Mund të bëjmë disa prova si ekip, por mendoj se janë miqësore që të ndihmojnë për ndeshjet e ardhshme në Nations League.

Rinovimi me Atalantën? Arsyet ishin të shumta. Ka më shumë se 6 vite që jam nën kontratë me Atalantën, ndihem shumë mirë: sidomos në vitet e fundit, me ecjen që ka bërë Atalanta si ekip, sidomos unë personalisht, me eksperiencat e shumta në Europë.

Ishte një gjë shumë e bukur, jam shumë i lumtur që munda të rinovoj kontratën, besoj që mund të arrijmë edhe shumë suksese të tjera me ekipin.

Dy golat ndaj Olympiacos në Europa League? U ndjeva mirë, pasi më mungonte goli. Kam pasur disa raste në këtë sezon, por topi nuk po futej. Për 2 minuta e gjysmë shënova dy gola, ishte pak befasi, por prapë isha shumë i lumtur. Më shumë rëndësi kishte fitorja, pasi shkuam me më shumë besim në ndeshjen e dytë në Athinë.

Adrian Bajrami deklaroi se jam idhulli i tij, a mund ta ndihmojë ai kombëtaren në vitet e ardhshme? Së pari m’u duk një çun shumë i drejtë dhe i edukuar. Nuk e njihja, nuk e dija se kishte jetuar në Zvicër, kështu që folëm edhe gjermanisht.

Jam i lumtur që e thotë këtë gjë, sepse është një gjë e bukur për mua. Besoj se ai i ka të gjithë gjërat për të arritur atë që do, në fund ai e vendos vetë se çfarë do.

Ai duhet të japë maksimumin në gjithçka, sepse në karrierë nuk janë vetëm gjërat e bukura që të çojnë përpara. Janë gjëra edhe të këqija që të çojnë pas, por më pas të çojnë dy hapa përpara”, përfundoi Berat Gjimshiti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për fëmijët në Ukrainë

Broja dhe Kumbulla, bamirësi me fanellat

Guardiola emisarë për shqiptarin

Man City shfaq interes, Milan nxiton për Asllanin