Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se është refuzuar kandidatura e Gramoz Vokrrit për kryetar të Federatës. Sipas FFK-së, Komisioni verifikues thuhet se ka gjetur shkelje në nënshkrimet që kanë ardhur për Gramoz Vokrrin.
Ndërkohë, është aprovuar kandidimi i Agim Ademit për kryetar. Rrjedhimisht Ademi mbetet kandidati i vetëm. FFK me datë 2 mars të këtij viti caktoi datën e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së, zgjedhjet të cilat pritet të mbahen më 6 prill.
Lidhur me këtë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Gramoz Vokrrit (djali i legjendës Fadil Vokrri), i cili tha se kjo tregon qartë tendencën e kundërkandidatit për të eliminuar me çdo kusht konkurrencën dhe frymën demokratike të këti procesi.
“Komisioni brenda FFK-së vendos të refuzoj nënshkrimet e deponuara. Një gjë të tillë e bën jashtë çdo afati dhe normë statutare. Kjo tregon qartë tendencën e kundër kandidatit për të eliminuar me çdo kusht konkurrencën dhe frymën demokratike të këti procesi.
Në aryetimin FFK-së kontestohën nënshkrimet e KIKËS, ULPIANËS dhe PRISHTINËS. Të bashkangjitura keni faktet që dëshmojnë të kundërtën. Këto nënshkrime kanë emra, mbiemra dhe vendime nga klubet e tyre. Me respekt dhe fair play”, – shkruan Gramoz Vokrri.
Ndërkohë, Kryetari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, tha se nënshkrimet e klubit janë valide dhe se e gjithë mbështetja është për Gramoz Vokrrin:
“Ne kemi ndërruar vetëm delegatin, por jo edhe mbështetjen. Pra, klubi Prishtina ia ka dhënë mbështetjen Gramoz Vokrrit. Edhe sikur Gramozi t’i kishte 20 nënshkrime, sërish do t’i gjenin diçka, sepse ai (Agim Ademi, kryetari i FFK-së v.j.) frikësohet edhe nga hija e vet.
Ne e kemi ndërruar delegatin për shkak se Artani do të ketë udhëtim zyrtar. Por, edhe e kundërta, ‘çka nëse njëri nga delegatët’, do Zoti jo, do të vdiste, ne nuk duhet të dërgojmë delegat tjetër për votim a? Ne si klub Prishtina ia kemi dhënë mbështetjen Gramozit dhe Fikret Maçastena dhe Rrahman Haradini do të jenë kandidatët e Prishtinës”.