Urrejtja me të cilën kërkohet “bashkimi” mes “Foltores” dhe PD-së së mbetur, është forma më e lartë e një kërkese për përdhunim që është bërë ndonjëherë në publikun shqiptar. Kur dy grupe, apo qoftë dhe dy individë, duan të pajtohen dhe bashkohen, kanë minimumi nevojë për të krijuar një klimë mirëbesimi ndaj njëri- tjetrit dhe pastaj një distancë nga shkaqet që shkaktuan ndarjen.
Sali Berisha në të vërtetë nuk do t’i lërë kohë askujt për një klimë mirëbesimi, pasi ai e di që ajo nuk ekziston, pasi një klimë mirëbesimi ka nevojë të eliminohet arsyeja që ka shkaktuar ndarjen.
Arsyeja që ka shkaktuar ndarjen e PD është vendimi i SHBA për të shpallur Sali Berishën dhe familjen e vet si njerëz të përfshire në korrupsion madhor, si minues të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë në vend. Nga ky vendim buroi sfida e Lulzim Bashës për të ndarë Partinë Demokratike nga Sali Berisha.
Një pjesë e madhe e lidershipit të PD, e pranoi këtë sfidë, ndërsa Berisha u përfshi në një betejë të maskuar kundër SHBA, duke e paraqitur si betejë kundër Lulzim Bashës, dhe përmes një truku zgjedhjesh të pjesshme, kërkon të krijojë perceptimin e “fituesit” mbi sfiduesin e tij Lulzim Basha, por jo mbi sfidën e tij me SHBA. Sfida e tij është raporti i papajtueshëm me SHBA, nga një ndëshkim që është i përjetshëm.
I qartë për ndëshkimin e tij të përjetshëm, Sali Berisha nuk dëshiron t’i hapë rrugë pajtimit të PD, pasi ai është një proces që e përjashton atë automatikisht, si arsyeja e ndarjes. Ai thjesht ka nevojë të shpallë pushtimin e PD-së së mbetur, që refuzon ta ketë atë edhe si anëtar, e jo më si kryetar.
Ai po përpiqet të krijojë iluzionin e bashkimi, por në fakt kjo që po bën është një poshtërim i ri ndaj PD, të cilën do ta rreshtojë me forcë pas tij.
E vërteta e hidhur për të, është se beteja e tij spekulative kundër Lulzim Bashës ka mbaruar dhe gjithë ata që bashkoheshin me të dhe kishin si alibi Lulzim Bashën, tani nuk e kanë më këtë alibi. Jo vetëm PD e mbetur në PD, por dhe shumë njerëz që janë në anën e “Foltores”, tani nuk janë më me Sali Berishën.
Ata mund të heshtin, mund të bëjnë kompromise në këtë klimë të dhunshme politike brenda tyre, por nuk e lidhin më të ardhmen e tyre me Sali Berishën. Dhe sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë do forcohet dhe zëri i tyre.
Ndaj Sali Berisha ka ngut dhe luftë me kohën. Ai nuk do t’i lërë kohë krijimit të një klime mirëbesimi mes palëve, pasi nuk mund të ketë mirëbesim derisa shkaku i krizës është në krye të punëve. Ideja qesharake e tij se vendos vota e lirë vlen vërtet, por vlen atje ku ta pranojnë kandidaturën.
Sali Berisha mund të vendosë kandidaturën brenda “Shtëpisë së Lirisë” dhe të votohet me ata që e pranojnë për anëtar, apo për kryetar. Ata që nuk e pranojnë për kryetar apo anëtar, nuk kanë se si të bëhen me dhunë pjesë e një procesi poshtërues, që i përngjan ritit të një përdhunuesi, që ka caktuar vet me kë do të martohet dhe e rrëmben me forcë.
Kur dy persona bashkohen vetë, quhet martesë me dashuri, por kur bashkohen me dhunë, quhet përdhunim. Sali Berisha çdo dite po bën thirrje për përdhunimin e PD, meqë ajo nuk do të martohet prapë me burrin e parë.
Sali Berisha nuk është i njëjtë me asnjë demokrat, pasi askush përveç atij nuk është i ndëshkuar si hajdut familjarisht dhe minues i demokracisë. Ai mund të konkurrojë me të ngjashmit e vet në Shqipëri, nëse duan të bëjnë një parti bashkë, por jo me ata që nuk e pranojnë standardin e krijimit të një partie anti-amerikane në Shqipëri.
Ndaj iluzioni i “bashkimit” që ai përpiqet të ngjallë, është thjesht makthi që ka nga mospranimi historik i një pjese të Partisë Demokratike ndaj tij. Nuk do t’i ikë kurrë ai makth, pasi kurrë ajo pjesë e PD nuk do të jetë më me të. Dhe ata që janë me të, do jenë përherë e më pak në të ardhmen, derisa të shuhet. Kur ai të mos jetë më, mund të diskutohet për një pakt të ri paqeje mes atyre që e duan PD me SHBA dhe Perëndimin dhe atyre që e duan si pronë të tij.
Meqë ai mendon se ka fituar mbi Lulzim Bashën dhe s’ka më zot ta ndalë, gabon! Të gjithë ata që janë kundër tij, janë gati të presin zotin! Por jo atë.