Situata me gripin e shpendëve është mjaft serioze, sepse organet shtetërore e fshehën fillimisht përhapjen e tij, derisa u konfirmua nga të prekurit shifra e frikshme prej mbi 1 milion krerë të ngordhura në muajin mars.
Tregtimi pa asnjë kufizim i pulave dhe vezëve alarmoi qytetarët për shpërndarjen e virusit. Vetëm sot, Ministria e Bujqësisë ka lëshuar një urdhër, që duhet zbatuar nga të gjithë.
Ka qenë zv.ministrja Ermira Gjeci, ajo që ka bërë publik urdhrin për parandalimin e përhajes së gripit të shpendëve në qarqet Durrës, Dibër dhe Korçë, ku janë vatrat e para të sëmundjes:
“Është e rëndësishme për tregtarët dhe publikun të dinë se është në fuqi urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së infulencës aviare. Ky urdhër do të zbatohet në Durrës, Dibër Korçë, ku janë dhe vatrat e sëmundjes.
Urdhëri ndalon tregtimin e shpendëve të gjallë në mjedise të hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla, si dhe lëvizjen e shpendëve nga ferma në fermë.
Policia e Shtetit dhe kryetarët e tri bashkive janë në bashkëpunim me ne për të ndaluar çdo abuzim të ligjit. Më lejoni t’iu drejtohem konsumatorëve se nuk ka asnjë rrezik për mishin dhe vezët nëse i blini në operatorët e licensuar dhe nëse produktet janë të kontrolluara.
Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara në temperatura më të larta se 70 gradë celcius, ashtu sikurse është dhe procedura e gatimit”.