A duhet të largohet Roberto Mancini pas disfatës përballë Maqedonisë së Veriut? Kjo pyetje ka përçarë tifozët “azzurr”, disa mendojnë se trajneri duhet të “hapë krahun”, ndërsa disa të tjerë kujtojnë suksesin në “Euro 2020”, si arriti Mancini të ngrejë në majën e Evropës Italinë.
Fakt është që presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, konfirmoi menjëherë Mancinin pas humbjes, por fakt është gjithashtu se vetëm Mancini mund të vendosë për këtë, vetëm ai mund të thotë se do të largohet nga Italia, pra ky vendim është në dorën e trajnerit.
Të vazhdojë apo të largohet për të shkundur ambientin, kjo është një dilemë e madhe që vetëm Mancini mund t’i japë një përgjigje. Nëse Mancini vendos të largohet, të japë dorëheqjen, alternativat për ta zëvendësuar nuk mungojnë.
Fabio Cannavaro shihet si pasuesi ideal, ndërsa përkrah tij do të ishte Marcello Lipi në rolin e drejtorit teknik. Një emër që në çdo rast do të merrej në konsideratë është edhe ai i Carlo Ancelottit.