MENU
klinika

Trajneri i Kombëtares, Edy Reja

“Të dalim me kokën lart ndaj Spanjës”

25.03.2022 - 18:12

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër në 19:45 me Spanjën në Barcelonë. Miqësorja e 26 marsit është komentuar nga trajneri kuqezi, Edy Reja.

Për 76 vjeçarin e stolit, kjo është ndeshja ku do shihet rritja e ekipit, ndërsa një koment Reja ka edhe për eleminimin e Italisë dhe përballjen me Enriquen në derbin Lazio–Roma.

“Futbolli spanjoll, sa vlen për ju në përgjithësi?

E njohim futbollin spanjoll. E vlerësoj shumë sepse luajnë mirë me topin, kanë një filozofi të mirë. Dua të komplimentoj Enriquen me atë që ka bërë. E njoh në Itali, me Romën.

Ai ka qenë më i ri, unë më shumë ekspert dhe u takuam në derbi. Është një trajner dhe njeri i madh, vinte nga Barça B. Kam një konsideratë të madhe për të. Kam qenë më me fat, e kam mundur në dy derbi.

Ajo që i ndodhi dje Italisë në Palermo?

Është një argument i gjatë për të analizuar se përse i ndodhi. Ndeshjet me Zvicrën dhe Irlandën e Veriut janë gabimet, u humbën dy penallti që do vendosnin ndeshjet. Për herë të dytë radhazi nuk jemi në Botëror dhe për Italinë është dramë. Zhgënjimi është i madh. Dje lojtarët dhe skuadra ishin të lodhur, nuk ishte Italia më e mirë.

Inspirim nga Maqedonia e Veriut?

Italia nuk bëri mirë, atë që duhet të bënte. Për mua Maqedonia nuk është surprizë, ka lojtarë shqiptarë që luajnë atje dhe më vjen mirë për këtë. E kanë merituar, shfrytëzuan mirë momentet e lojës dhe morën maksimumin. Italia duhet të ishte më e saktë, nuk ishin në lartësinë e duhur.

Nesër më shumë vlen loja apo rezultati?

Mua do më pëlqente të dilnim nga fusha me një paraqitje të mirë. Po përmirësohemi, doja të kisha dy komponentët si lojën dhe rezultatin. Doja mos bënim paraqitje si me Anglinë apo Francën në të kaluarën, më pëlqen që të luajmë mirë. Na vlen për të parë progresin që po bëjmë.

Për çfarë i vlen kjo miqësore Kombëtares?

Kemi bërë ndeshje me Poloninë, Hungarinë, Uellsin dhe Çekinë. Duhet të shohim se në çfarë pike jemi, ku janë lojtarët. Janë dy ndeshje të rëndësishme. Edhe me Gjeorgjinë do shohim lojtarët dhe formën e tyre dhe rritjen tonë në lojë.

Edhe mua do më pëlqente të isha në fushë, të luaja këtë ndeshje me Spanjën si futbollist. I kisha kërkuar Federatës një miqësore të fortë dhe kjo është Spanja. Lojtarët po punojnë për maksimumin dhe duan të tregojnë vlerat.

Fizikisht duhet të jemi “on top”. Krahasuar me Spanjën që është teknike, ne na duhet të vrapojmë. Këtu hyjnë në lojë edhe shpirti i garës. Spanja luan shumë me topin, kemi lojtarë të aftë që të përballojnë Spanjën”, – tha Reja.