Në foltoren radhës të Partisë Demokratike në Tepelenë, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se regjimi sot në Shqipëri është në revansh të plotë sepse sipas tij ia doli të ndikojë edhe në krizën në Partinë Demokratike.
Berisha u shpreh se kjo tregoi se ai nuk respekton asnjë parim të demokracisë. Ai tha se vendi sot është në situatën më të vështirë për shkak të menaxhimit të situatës së pasojave të luftës më keq se çdo vend tjetër në Europë.
Ai vlerësoi takimin e sotëm si një bashkim të demokratëve që deri dje kishin qëndrime të ndryshme.
“Prania sot këtu e kryetarit të grupit të Rithemelimit, prania e demokratëve që deri dje kanë pasur qëndrime ndryshe, është mesazh i shkëlqyer. Po e lëmë mënjëanë 97-ën se askush nuk ka vuajtur sa demokratët e Tepelenës dhe Gjirokastrës. Po 8 vite në opozitë. 8 vite diskriminim, trysni, ndjekje dhe përndjekje me taksa.
Kjo është një lumë sakrificash që i bashkon demokratët dhe i detyron të nderojnë respektin ndaj njëri tjetrit. Sot regjimi është në revansh të plotë sepse ia doli të ndikojë në krizën e Partisë Demokratike dhe të tregojë se nuk respekton asnjë parim të demokracisë. Rregulli i sistemit demokratik është respektimi i opozitës. Vendi ndodhet në situatën më të vështirë.
Ka një agresion barbar ndaj një vendi të lirë që po qëndron në mënyrë më heroike me forcën e lirisë së njerëzve të lirë. Ukrainasit po përballen me një nga ushtritë më të armatosura. Kjo luftë ka krijuar çrregullime të pamohueshme në treg por ato në Shqipëri janë bërë më të zeza se në çdo vend tjetër të Europës. Çdo situatë e vështirë ne na bëhet më e rëndë’, u shpreh Berisha.