Një mëngjes të shtune, një njeri i quajtur Vilhem Tel, po zbriste në tregun e qytetit. Ai jetonte larg, mes malesh. Me të ishte edhe i biri, Valteri.
Teli ishte i njohur në të gjithë vendin për aftësitë e tij si harkëtar dhe për shpirtin e tij të pavarur. Atë ditë babë e bir nuk mendonin për gjë, por i kënaqeshin shoqërisë së njëri-tjetrit dhe bukurisë së fushave rreth e qark tyre.
Vilhem Teli ecte me trupin drejt, ndërsa Valteri ecte krenar pranë të atit, i lumtur si gjithmonë që ishte me babanë e tij. Kur kaluan pranë shtyllës, ushtarët vunë re se ata nuk u përkulën përpara kapelës së Geslerit.
Menjëherë ata e kapën Telin dhe djalin e tij dhe i çuan te komandanti i tyre. Gesleri e pa Telin me qetësi. Ai kishte dëgjuar nga ushtarët dhe njerëzit për aftësitë dhe trimërinë e tij.
– Thonë se ti je një harkëtar i mirë, – i tha ai.
– Po, – tha Teli me krenari.
– Kam dëgjuar se ti mund të qëllosh çfarëdo lloj shenje,- vazhdoi Gesleri.
– Po, është e vërtet,- tha Teli.
Gesleri e vështroi me një buzëqeshje të keqe.
– Atëherë ma provo këtë. Nëse je vërtetë aq i zoti, siç po thua, atëherë nuk do të të ndëshkoj për mungesën e respektit që tregove.
Ushtarët pritën të dëgjonin se çfarë do të urdhëronte Gesleri.
– Ejani pas meje! –urdhëroi ai.
Ata iu drejtuan sheshit të qytetit. Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën rreth e qark tyre. Të gjithë e donin Telin dhe po prisnin me ankth vendimin e Geslerit.
– Vilhem Teli do të fitojë lirinë e tij,– tha ai. Njerëzit e shikonin të heshtur. – Djali yt do të qëndrojë aty, pranë pishës së madhe. Ti duhet të qëllosh me një shigjetë mollën që do të jetë mbi kokën e tij. Nëse fiton, atëherë do të jesh i lirë.
Njerëzit u drodhën dhe tërhoqën fëmijët e tyre pranë vetes. Por Teli dhe djali i tij nuk dukeshin të trembur. Valteri kishte besim te i ati dhe nuk i dridhej qerpiku, po ashtu dhe Vilhelm Teli kishte besim te aftësitë e tij prej harkëtari.