Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut është duke synuar befasinë e radhës dhe kualifikimin për herë të parë në një Kampionat Botëror. Pas fitores ndaj Italisë, Maqedonia e Veriut tani do të përballet me Portugalinë në finale të play-off.
Njëri prej futbollistëve shqiptarë, Ezgjan Alioski, ka thënë se janë duke e ëndërruar Botërorin: “Nuk kemi fituar ende asgjë. Lamë jashtë garës një ekip të madh si Italia dhe nuk jemi kualifikuar ende”, tha fillimisht ai për “Blick”.
“Kjo është arsyeja pse nuk e kam ndërgjegjen e keqe. Ne ëndërrojmë Kampionatin Botëror në Katar. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të madhe”, shtoi 30-vjeçari.
Nëse Maeqdonia e Veriut eliminon dhe Portugalinë, atëherë edhe një yll i madh si Cristiano Ronaldo do të mbetej jashtë Botërorit. Futbollisti shqiptar tregoi respekt për portugezin, por tha se ai dhe shokët e tij duan ta realizojnë ëndrrën e tyre.
“Ronaldo ka luajtur në një nivel të lartë për gati njëzet vjet. Nuk dua t’i prish asgjë Ronaldos. Por, unë dua të përmbush ëndrrën tonë të madhe. Të gjithë besojmë se mund ta bëjmë në Portugali”, deklaroi Ezgjan Alioski.