MENU
klinika

Sistem anti-raketor

Gjermania po mendon t’i mbrojë aleatët europianë me një “Kupolë të Hekurt” si Izraeli

27.03.2022 - 20:51

Qeveria gjermane po diskuton krijimin e një sistemi të fuqishëm të mbrojtjes raketore mbi vend, siç është “Kupola e Hekurt” izraelite.

Lajmin e raporton e përditshmja gjermane “Bild”.

Sipas botimit, takimi i fundit me kancelarin Olaf Scholz për modernizimin e armëve të Bundeswehr-it nën paketën 100 miliardë euro përfshinte përmirësimin e sistemit të mbrojtjes raketore.

Kjo, duke përfshirë sistemin izraelit “Arrow 3”. Tani përflitet se mbrojtja e vendit është “e pamjaftueshme”.

Parimi i përgjithshëm është se sistemet e radarëve janë instaluar në disa zona të vendit, të dhënat e të cilave transmetohen në komandën qendrore.

Nëse radari zbulon lëshimin e një rakete, ajo rrëzohet nga një prej sistemeve në lartësi të madhe.

Fuqia e radarëve është e tillë që ata potencialisht mund të “mbyllnin” territorin e Polonisë, Rumanisë dhe shteteve baltike nga Gjermania.

Sistemi potencialisht mund të vendoset deri në vitin 2025.

Vendimi është ende në diskutim, sqaron Bild.

“Ne kemi nevojë për mbrojtje më të mirë kundër kërcënimit rus, i cili kërkon një mburojë raketore që do të mbulojë të gjithë Gjermaninë.

Sistemet izraelite Arrow 3 janë një zgjidhje e mirë dhe ne gjithashtu mund t’i mbrojmë fqinjët tanë me mburojën tonë, duke luajtur kështu një rol kyç në sigurinë evropiane”, u shpreh deputeti i socialdemokratëve, Andreas Schwartz.