FC Prishtina mori pjesë në Asamblenë e 27-të të Asociacionit Evropian të Klubeve (Europian Club Associaction) që u organizua të hënën në Vjenë të Austrisë.
Asambleja e Përgjithshme u drejtua nga kryetari Nasser Al-Khelaifi, i cili njëkohësisht është edhe president i skuadrës së madhe franceze, Paris Saint Germain. Në këtë Asamble pikë kryesore e diskutimit ishte stabiliteti financiar i klubeve evropiane.
FC Prishtinën, në mesin e 247 klubeve evropiane, po e përfaqëson presidenti Remzi Ejupi. Në këtë asamble po merr pjesë edhe kryetari i UEFA-s, Aleksander Ceferin, me të cilin Ejupi e ka zhvilluar një bisedë rreth futbollit të Ksoovës.
“Sot pata nderin që ta përfaqësoj FC Prishtinën në Asamblenë e 27-të të Asociacionit Evropian të Klubeve (Europian Club Associaction) që u organizua në Vjenë të Austrisë.
Në Asamble u diskutua në veçanti stabiliteti financiar i klubeve dhe shumë çështje të tjera. Pata nderin dhe kënaqësinë që të takohem me presidentin UEFA-s, Aleksander Ceferin, të cilin e njoftova në detaje rreth përpjekjeve që po bëjmë si shtet i ri për forcimin e futbollit të Kosovës dhe klubeve tona.
Ishte interesante biseda rreth situatës së fundit alarmante në Federatën e Futbollit të Kosovës ku Ceferin tha se të gjithë po thirren në emrin e tij dhe të institucionit që e drejton.
Ndjehem më fat që njoha nga afër edhe dy njerëz shumë të suksesshëm, presidentin e Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi, i cili e drejtoi Asamblenë e Përgjithshme ku morën pjesën 247 klube evropiane si dhe legjendën e portës së Gjermanisë, Oliver Kahn, i cili është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Asociacionit Evropian të klubeve.
Ndërkohë, me presidentin e Fenerbahçe, Ali Koç, negociuam për bashkëpunim ndërmjet klubeve tona. Tashmë te ky klub Kosova ka lënë emër të mirë pasi që me shumë sukses është paraqitur sulmuesi ynë, Vedat Muriqi.”