MENU
klinika

Poeti këndonte edhe qante...

Me penën e Kutelit: Shpirti rus në vargjet e Shevçenkos

29.03.2022 - 14:48

         Poetin e madh ukrainas Taras Shevçenko, për lexuesin shqiptare e solli për herë të parë, majin e vitit 1943, Mitrush Kuteli. Ai rrëfen si e pat prekur jehonën dhe praninë e poezisë dhe shpirtit liridashës të Shevçenkos në popullin e vendit të vet, në Ukrainë. Si kemi spjeguar tek libërthi ‘Net moldave’, Kuteli u ndodh në Ukrainë jo si fanatik lufte, por si i dënuar për veprimtarinë e tij ekonomike në Rumani, në favor të popullit rumun dhe në dëm të ekspansionit nazist.

Asokohe Kuteli nuk e pati ditur se edhe fati jetësor i tij do t’i përngjante fatit të poetit të madh ukrainas, i cili qe dënuar për kohë të gjatë nga Cari: “Do të ndalohet të shkruajë dhe të pikturojë’… Dhe në kuadrin e Ukrainës të sotme, që po lufton me kurajo të pashoqe kundër një superfuqie, Kuteli na zbulon nëpërmjet një analize plot lirizëm, sesi vargjet e Shevçenkos rrëfejnë sa fort është e rrënjosur ndjenja e luftës për liri në shpirtin e popullit ukrainas.

Mitrush Kuteli:

Volumthi i këndshëm “Liriche ucraine1 i Zojushës Mlada Lipovetzka, që më ra në dorë këto ditë, ardhi e më zgjoi një varg kujtimesh nga një vend i largët fort, nga Ukraina. Të nis e t’i shkruaj tani që të gjitha, kësaj i thonë një punë e gjerë që nuk munt t’i përvishem dot. Prandaj kufizohem vetëm në disa fije prej tyre dhe, po të jem gjallë e në jetë, do t’i plotësoj tjatër herë. … Kohën e pluhurit dhe një pjesë nga koha e shiut edhe e baltës (e ç’pluhur, o Zot, e ç’baltë!) e kaluam në rrugë e sipër, më këmbë, për në front, ku na kish hedhur shorta.

Si ra Odesa ne u kthyem e qëndruam në një fshat të math, afron qytet, ku ardhi e na zu të ngritët edhe bryma e vjeshtës. Kjo ka qenë për ne një lumtëri se kësilloj u mpi toka e zezë – çernoziom si pisa – edhe shpëtuam nga tmerri i baltës, në ato vise pa rrugë të ndërtuara. Filloi tani një vjeshtë e thatë dhe e bukur fort që s’kam fjalë qysh ta shkruaj. Kur isha i lirë dilnja fushës, ku minjtë rëshpëronin pa pushuar, edhe vështronja ndryshmërit e motit që janë më të shpejta nga ato të viseve tona, sepse dimri vjen atje më parë.

Mbase nga ky shkak, këto çudit e vjeshtës janë më të prekëshme. Kur këthehesha prapë kisha lule – akulli, mbi vetulla e mbi mustaqe, të endura nga thëllimi. Ish aty pranë fshatit të math, ku kishim qëndruar ne, një tjatër fshat, më i vogël, edhe këtu një shtëpizë e unjtër, një “hati”, e mbuluar me kashtë, si janë shumica e shtëpive fusharake nër ato vise. Këtu banonte, së bashku me fëmijë e me një bataljon minjsh (grunjat e mbetura në fushë të pakorrura i kishin shtuar fort minjtë atij viti) mësonjësi – profesor2 Boçkovski, një burrë i urtë midis dy moshash, dashuronjës i math i algjebrave dhe i trigonometrive. Në këtë shtëpi pata qëndruar me shokë një natë të errët dhe me shi. Na pritnë me zjarr në sobë – zjarr që yshqehej me lëvezhga nga farat e lule-djellit – dhe me qumësht të ngrohtë. Që asaj nate unë mbeta miku i Boçkovski-t, i cili, me gjithë se merrej me algjebrë dhe me trigonometri, kish zemër të ngrohtë.

Kur isha i lirë a kur mundnja e vidhesha nga ndonjë punë e mërzitëshme, zbrisnja aty në Boçkovski – rrugë 6-7 km. nëpër fushën e brymosur – e gjenja gjithmonë ja një “stakan”3 me qumësht ja një “samohonka”4 të fortë ose që të dyja bashkë. Samohonkën e panxharit e pinim me gota vere. Unë u jipnja cigare e shkrepse. Me Boçkovski-n bisedonja në dialektin moldav që e fliste mirë, se në ato vise ka shumë rumunë, kurse me djemt e tija, Fedia dhe Volodia, mirresha vesh me pak ukrainishte që kisha filluar ta kuptoj e ta flas çalë-çalë. Në këtë shtëpi kam dëgjuar për herë të parë emrin e Shevçenko-s – Taras Grigoróviç Shevçenko – poeti vigan i Ukrainës. Vetë Boçkovski, djemtë edhe “pilotka” – si i thesha me të qeshur vogëlushes së bardhë dymbëdhjet vjeçare, me flokë ngjyrë-kashte – e dinin përmendësh një pjesë të veprës së tij.

Me qënë se tingëlli sllav nuk ish i huaj edhe as i ri për veshin tim, se shumë herë pata kaluar e ndenjur nër kufire sllave, nuk vonova fort për t’i shijuar bukurinë edhe përmbajtjen. Më pëlqente fort ritmi i tij i plotë, muzikal, me përsëritje sugjestive e sidomos metrika e tij specifike, me alternativitet tetë e gjashtë rrokje, kaqe e aftë për shprehjen e tallazeve të dhembjes. Edhe pikërisht dhembjen këndon poeti Shevçenko. Nuk shkoi shumë dhe fillova të di përmendësh disa strofa, pastaj një vjershë të tërë edhe më von një tjatër.

I përsëritnja me dashje e pa dashje, në vetë-veten, dyke ecur nër ato fusha vjeshtake ku rëshpëronin pa pushim minj të dherit. Fije prej tyre, me gabime ose pa gabime, më vijnë edhe sot në mëndje. Dendur, kur zbrisnja ne Boçkovski, në ato perëndime vjeshtake që nuk i harroj kurrë, fëmijët edhe vetë Boçkovski më shëmbëllenin që për së largu e më bënin shënja miqësije me dorë dyke thirrur: Dmitar, Dmitar!

Edhe sapo hynja në shtëpi gjenja në zjarr qumështin dhe në tryezë ndonjë antollogji të shkollës me vjersha nga të Shevçenko-s. Kësilloj fillova të bisedoj dhe të lëçit në gjuhën e tyre që nuk është aspak e shëmtuar. Pa fjalë se ky tingëlli im do ish barbar për veshët e tyre (se shumë herë qeshnin me vrull) po dalngadal fillova t’afrohem ukrainishtes së vërtetë. Unë, më anë tjatër, u jepnja njoftime mbi gjuhën rumune dhe korrigjonja temat shkollore të Fedia-s dhe të “pilotka”-s.

Kësilloj fillova ta njoh dhe ta dua poetnë e math të Ukrainës dhe një nga më të mëdhenjtë këngëtorë të shpirtit sllav. Në një kohë kur ndjehesha fort i mjeruar, vjershat e tija ku këndohet dashurija e tokës lindore me një idhullatri pa shoq, mburimet e kodrave, ujrat e lumënjve të skuqura me gjakra luftrash, valët e kaltra të detit të larguar – shpesh vjen në vjershat e tija vargu nostalgjik (“sinee more”) dhe përmbi të gjitha, trimëritë dhe vojtjet e një populli të skllavëruar, – vinin e më ndisnin një llambadhe drite në shpirt. Jo fort von gjeta në bibliotekën e shkollës një edicion të Kobzar-it të shtypur në Kiev, me rastin e qindvjetorit të parë të botimit të tij. Midis këtij edicioni edhe atij të vitit 1840 ka disa ndryshime për të cilat do flas më poshtë.

Gjith ashtu gjeta dhe një përkthim moldav me shkronja kirilike të disa pjesëve të kësaj vepre, me poemin “Katerina”, po këto m’u duknë të shpëlara fort përpara dinamizmit të origjinalit, të cilin kisha filluar ta shijoj drejtpërdrejt. Fedia, pilotka edhe vetë Boçkovski ishin profesorët e mij. Fedia kish tetëmbëdhjetë vjet, mbante kapë kazaku edhe çizma të rënda edhe ish bezbozhik7 . Unë rrihnja t’i shpjegoj, me një fjalor të varfër, nocionin e Zotit dhe ay përpiqej të më mësojë ta pi samohonkën e panxharit me stakan’ e ujit.

Shumë gjëra e ndanin, pa fjalë, botën time nga bota e tij, po që të dyja këto botë i bashkonte, përnjëmend, fjala e zjarrtë e Shevçenko-s edhe vodka e panxharit. Disa nga vjershat e Shevçenkos ishin vënë në këngë. Pata dëgjuar një natë në një shtëpi të një mësonjësi të ardhur nga Kirovogradi, përtej lumit Bug, të famëshmen “Zapovit” edhe lëftova fort me vetë-veten të këthej prapë pikën e vesës që më njomi synë.

Nuk di se qysh më pat ardhur kjo pikë vese në atë gjysmë errësirën e dhomës, ku binte e ngrihej drita e një kandili me vaj, po edhe sot, kur rri i qetë dhe i kujtoj ato vise, sikur dëgjoj qysh mburon nga dheri e qysh më vështjell e më mbulon krejt një këngë e ngadalëshme, e rëndë, madhështore, që mbleth ajo vetë gjithë dhembjet e mallet e stepës së gjërë. Kaq mall e nostalgji nuk di të përmbajë ndonjë tjatër këngë e një tjatër populli.

Do këput tani fillin e këtyre kujtimeve të mija nga shtëpija e Boçkovski-t e do përpiqem të rrjeshtoj disa fjalë mbi jetën dhe veprën e Shevçenko-s, dyke përzjerë sa pata lëçitur e sa mbaj mënt nga ato vise me sa shkruan Mlada Lipovetzka. Taras Shevçenko lindi më 25 të shkurtit 1814, në katundin Morinzi, afër Kievit, si skllav, bir skllavi – pronjë e pronjarit Engelhardt.

Lirinë ja blenë, më von, miqtë dhe adhuronjësit (si piktor, jo si poet) me dy mijë e pesë qint rubla. Kur kish shtatë vjet mbeti jetim prej nëne, e cila u tret nga puna e shumë, në fushë e në shtëpi, si skllave që ish. Gjer në ditën e lirimit, 22 prill 1838, të cilën munt ta kujtojmë si datën e lindjes së dytë, Taras Shevçenko pat qënë, radhë pas radhe, bari i kopesë së fshatit, shërbëtor i shërbëtorëve dhe, më në funt, shërbëtor i të zot. Gjer në këtë kohë Tarasi u pat arratisur dy herë, po me që asgjëkund nuk gjendej një vënd për një skllav – sado e madhe që ishte stepa – u pat këthyer përsëri si kau në zgjedhën e vet.

Një gjë fitoi nga arratija: pikturën që e mësoi nga dy mjeshtër anonimë. Si arriti shërbëtor i të zot, në Vilnë, gjithë kohën e lirë ia kushtonte artit. Ka mbetur një pikturë e tij prej shtëpisë prindore, një lloj kasolle pak m’e madhe, e mbuluar me kashtë, që e pata parë në shumë edicione të veprave të tija. Pa fjalë se jeta nuk ish as aty e ëmbël fort.

Mlada Lipovetzka na kujton episodin kur i zoti u pat këthyer një natë, von, dhe dyke e gjetur Shevçenko-n tek po pikturonte, dha urdhër të rrihet gjersa e lanë gjysmë-gjallë, gjysmë-vdekur… Një tjatër episod është ay i udhëtimit nga Varshovija në Petrograd.

I zoti udhëtonte në koleshkë dhe skllavi më këmbë. Pat qënë asohere një dimër i math dhe ky, në t’errët, pat humbur njërën opingë. Vazhdoi të ecë mbi akull dyke ndërruar të vetmen opingë që kish, kur në njërën kur në tjatrën këmbë. Në kryeqytetin e ahershëm të Rusisë iu hapnë Shevçenko-s portat e artit të vërtetë.

Duke njohur talentin e skllavit të vet, i zoti ja dha për disa kohë, si nxënës edhe shërbëtor, piktorit Sosçenko. Kësilloj pronjari Engelhardt shpresonte të kish një piktor, të tijnë i cili t’i bëjë, më von, fytyrën. Mjeshtëri i ri i dha Shevçenko-s jo vetëm artin po edhe lirinë. Kjo u ble, si thamë, me dy mijë e pesë qint rubla, shumë e madhe për atë kohë. Për ta mbledhur, piktori Brjulov bëri fytyrën e poetit Joukovski që ish mësonjësi i birit të Carit dhe fort i njohur asaj kohe.

Piktura u nxuar në llotari dhe vetë familja e Carit mori pjesë. Kësilloj u pat fituar lirija e Shevçenko-s: me një fytyrë poeti të punuar prej një piktori. Filloi tani një jetë e re, pa brenga, nënë mprojtjen e piktorëve Brjulov edhe Sosçenko, që e dashuronin fort. Po ngjau tani një gjë e papritur: si studioi një vit – vitin e parë të lirimit – në Akademinë e pikturës, filloi të largohet nga ky art për t’iu kushtuar poezisë. Shkruan ay vetë:

“E dinja mirë se vetëm piktura munt të ish për mua një profesion me fitime, po, në vend të ndjek studimin e mystereve të saj nënë udhëheqjen e të pavdekëshmit Brjulov, fillova të shkruaj vjersha për të cilat askush nuk më pagonte, vjersha të dhembëshme të vendit tim të cilat do binin më von si një barrë e rëndë në shpirtin tim e do më kushtonin lirinë e fituar me kaqe mundime.

Po ç’munt të bënja unë? Kur gjendesha përpara veprave të Brjulov-it unë mendohesha në “kobzarët”8 e dheut tim. Në hijen e parfumuar të ateljerit të tij luksoz, unë ëndëronja stepën time të dashur, varret e saj të larta, Dniprin – plak edhe gjithë Ukrainën time të mjeruar, me bukurit e saj virgjine dhe të trishtme”9 . Ky kontrast rrjedh nga fakti se Taras Shevçenko nuk ish një artist i thjeshtë, një fytyrë kontemplative, egoiste, po një shpirt vigan dhe heroik i cili jo vetëm se ndjente thellësisht vuajtjet e një populli të skllavëruar po edhe desh t’i shprehë botërisht këto dhembje.

Ca më fort ay desh të këputë zinxhirat e robërisë politike-ekonomike moskovite. Këto të gjitha nuk munt të shpreheshin e të mernin zë përmjet artit kontemplativ të pikturës. Ato lypnin një shprehje dinamike, tingëllonjëse, që vetëm poezija munt ta jepte.

Dhe pikërisht poezisë (një Golgotha, kur është poezi e vërtetë) iu kushtua mish e shpirt ish-skllavi Shevçenko. Më 1840 nxori në dritë të parën përmbledhje të vjershave të tija. E kish emrin “Kobzar” – emër që mbajnë këngëtorët e rapsodive të vendit. Vjershat ishin shkruar në stilin e thjeshtë e turbullonjës të këngëve popullore. Po në një gjuhë të ëmbël, si nuk pat shkruar askush përpara tij. Gjithë Ukraina u trondit nga fjala e tij që ish pasqyra e shpirtit dhe e dhembjeve të saj.

Taras Shevçenko këndonte edhe qante: këndonte bukuritë e vendit të vet, trimëritë edhe lavditë e hatmanëve luftëtarë, lirinë që kish mbretëruar dikur; qante: vojtjet e kombit të robëruar. Dhe mburon nga kjo vepra e Shevçenkos një dashuri e egër, pagane, për kombin dhe vendin e vet si s’ka tjatër.

Në të famshmen “Zapovit” muzika e së cilës më pat turbulluar aqë fort n’atë vend të largë, Taras Shevçenko shkruan: “Gjer të mos shoh se kombi im është i lirë unë nuk njoh as Perëndi” (vargun “Ja ne znaiu Bogu” Fedia Boçkovski ma kujtonte si themel ateismi. Po Fedia im nuk kish lëçitur gjithë veprën e Shevçenko-s pa cenzurën e vitit 1940). Dhe sepse poezija nuk mjaftonte për të këputur zinzhirat e skllavërisë (vetë ay pat bërtitur “Kajdani porvite!” – “Këputni zinxhirat!”) hyri në organizatën “Kiril edhe Metodi” brenda së cilës vepëronin fytyrat më të zgjedhura të kombit të vet.

I ndjekur prej kohe u burgos më 1847. Pas disa kohë burgu të rëndë e bënë ushtar dhe e dërguan syrgjyn në një kumpanjë të dishiplinës, në Asinë Qendrore, kur ndenji dhjetë vjet. Me dorën e vet Cari kish shkruar dënimin e tij më të ashpër: “Do ndalohet të shkruajë e të pikturojë”. Po tinas e në burgje e në syrgjyne poeti vazhdoi të shkruajë.

U lirua më 1857 dhe u këthye më parë në Nijni-Novgorod dhe më von në Petrograd, gjithmonë nënë vërejtjen e policisë. Vetëm më 1859 mundi të shohë vendin e tij ku dhëmbjet e skllavërisë vazhdonin. Iku dhe së andejmi. Kërkonte pak qetësi po nuk e gjente asgjëkund.

Nuk kish as shëndet të mirë. Me gjith këto vazhdoi të punojë. Vdekja nuk vonoi ta marrë në krahët e saj. Kjo ngjau në Petrograd, më 26 Shkurt 1861, kur nuk kish mbushur dyzet e shtatë vjet.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një amanet që ka hyrë në historinë shqiptare

“Amaneti i Mitrush Kutelit” – Letra, drejtuar së shoqes…

"Titan ishim, titan jemi"

Atdheu i vargjeve të Ali Asllanit


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen