Deputeti Alqi Bllako pritet të arrestohet nga SPAK, pas dorëzimit të mandatit të tij të deputetit. I pyetur për kërkesën që SPAK ka bërë për arrestimin e Bllakos, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur se përgjegjësia është individuale.
Qëndrimi i qeverisë sipas Ulsi Manjës, është i qartë: “Çështjet e drejtësisë, janë të drejtësisë”
“Ne kemi ndërmarr Reformën në Drejtësi. Kemi qenë të bindur dhe sot më shumë se kurrë. Se kjo ishte aspiratë e shqiptarëve. Që u përgjigjet nevojave. Është i qartë qëndrimi ynë . Çështje e drejtësisë janë të saj. Kushdo që shkel ligjin është përgjegjësi individuale. PS është lokomotiva e qeverisjes. Që është votuar nga 800 mijë shqiptarë.” tha ministri Manja.
Ndërkohë Ulsi Manja, u shpreh se Këshilli i Ministrave ka kaluar dy projektligje që lidhen me dokumentet zyrtare dhe mbrojtjen e individëve për të dhënat personale.
“Sot KM ka kaluar dy projektligje. Për aksesin në dokumentet zyrtare dhe mbrojtjen e individëve për të dhënat personale. Këto konventa do bëhen pjesë e të drejtës tonë. Kjo konventë rrit standardet e mbrojtjes së të dhënave personale.” tha Manja.