MENU
klinika

Biseda Scholz-Putin

Gjermania: Rusia do të vazhdojë të lejojë që pagesat e gazit të bëhen në euro

30.03.2022 - 22:04

Rusia do të vazhdojë të lejojë vendet evropiane që të paguajnë gazin e saj me euro dhe jo me rubla siç kishte kërcënuar më parë, ka thënë qeveria gjermane.

Presidenti rus Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz se pagesat nga Evropa muajin e ardhshëm “do të vazhdojnë të jenë në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Gazprom Bank e cila nuk është prekur nga sanksionet”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit.

Banka më pas do t’i konvertonte pagesat në rubla, citon Hebestreit të ketë thënë Putin, raporton BBC. “Scholz nuk ishte dakord me këtë procedurë në bisedë, por kërkoi informacion me shkrim për të kuptuar më mirë procedurën”, citon deklarata.

Rusia ka thënë më parë se vendet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë për gazin e saj në rubla nga 31 marsi. Zëdhënësi gjerman shtoi se Scholz mbeti i përkushtuar ndaj një marrëveshjeje të G7 që furnizimet e energjisë nga Rusia do të paguhen vetëm në euro ose dollarë amerikanë.

Gjermania merr rreth gjysmën e gazit dhe një të tretën e naftës së saj nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me një recesion nëse furnizimet ndalojnë papritur.