Një park me kushte bashkëkohore do të ndërtohet në qytetin e Kuçovë, nga Bashkia.
Përtej kësaj, vendi ku parashikohet të ngrihet ky park është pikërisht hapësira e ish-termocentralit të Kuçovës, i cili pas viteve ’90 u grabit e shkatërrua, duke u kthyer në një gërmadhë hekurash e mbetjes urbane.
Për më tepër kryetari i Bashkisë Kuçovë, Selfo Kapllani shton:
“Janë menduar të ndërtohen basene ujore, sheshe, pedonale, si dhe do të mbeten simbolikisht kulla e ftohjes dhe oxhaku për të mbajtur identitetin. Vlera e projektit shkon në rreth 130 mln.”
Pritet që ky investim t’i hap rrugën më pas dhe shfrytëzimit të disa objekteve të tjera të trashëguara gjatë sistemit të kaluar, kryesisht ato të cilat kanë lidhje me nxjerrjen dhe përpunimin e naftës për të cilat bashkia i shikon si resurse në fushën e turizmit.
“Ne kemi shumë objekte me vlera për të qenë pjesë e këtij muzeu.”
Qyteti i naftëtarëve ka nisur të tërheqë kohët e fundit vëmendjen e turistëve, të cilët pasi vizitojnë Beratin shprehin interes për të parë qytetin prodhues të arit të zi në teknologjinë e vjetër, që realizohet me anë të puseve.