MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

Përgjegjësi individuale! Seriozisht?

31.03.2022 - 13:05

Arrestohet një (ish) ministër, një deputet, x zyrtarë të lartë, y persona nga biznesi dhe prapë flasim për përgjegjësi individuale?!

Edhe pjesa e dukshme e “ajsbergut” të incineratorëve na tregon se krimin nuk paska kapur individin, por strukturat shtetërore, ka ndërhyrë në kompetencën e institucioneve, ka manipuluar procedurat, ka neutralizuar institucionet dhe ka përlarë mbi 100 milionë euro.

Nuk ka lindur mbi dhé deri më sot një individ kaq i zoti sa t’i bëj këto gjëra vetëm. Krimi këtu është në bashkëpunim dhe në bashkëpunim shembullor.

Sigurisht ka krime individuale, por ka edhe krime në bashkëpunim, me dy a më shumë vetë, në kuadrin episodik. Sikundër ka edhe grup të strukturuar kriminal e deri në organizatë kriminale, në kuadrin e konceptimit, organizimit, qëndrueshmërisë e kohëzgjatjes në kohë, qëllimit të përfitimit etj.

Dhe secili përgjigjet sipas rolit dhe ndikimit në krim.

Pa harruar që edhe ligji ynë (neni 28 i kodit penal, format e veçanta të bashkëpunimit) bën dallim të qartë mes organizatës kriminale…

si…” forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilën bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

…dhe grupit të strukturuar kriminal që “është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

Incineratorët janë modeli më i kulluar dhe i trashë i fajësisë individuale dhe përgjegjjësisë të më shumë se një personi.

Ideim profesional, zbatim amatoresk. Përfundim tragjik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Përgjegjësi individuale, PS është lokomotivë"

SPAK kërkon arrestimin e Alqi Bllakos, reagon ministri Manja