MENU
klinika

Moto GP

Dovizioso mposht shiun dhe rivalët në Valencia

18.11.2018 - 15:48

Përfundon me spektakël kampionati I këtij sezoni në Moto GP, me Andrea Dovizioso që fiton në Valencia. Një garë që ishte si një llotari për pilotët, pasi shumë prej tyre nuk e përfunduan dot atë, për shkak të rrëzimeve.

Shiu që kishte rënë para garës, por edhe që filloi gjatë saj, bëri që shumë nga protagonistët të rrëzoheshin, ndërkohë që gara u ndërpre në xhiron e 13-të për rreth 30 minuta, pikërisht për shkak se pista ishte në kushte ekstreme.

Një fitore më së shumti për statistikë kjo e sotmja e italianit Andrea Dovizioso me Ducati, që u ngjit në podium bashkë me spanjnollët Alex Rins (Suzuki) dhe Pol Espargaro (KTM), që përfituan nga problemet që patën pilotët e tjerë.

Një shans të mirë për fitore, apo të paktën për t’u ngjitur në podium, pati sot legjenda Valentino Rossi, që u rrëzua 5 xhiro nga fundi, kur ishte i dyti. Ai u rikthye në pistë, por e mbylli garën në vendin e 13-të, duke marrë pikët e mjaftushme për ta mbyllur këtë Botëror në vendin e tretë.

Një garë për t’u harruar kjo edhe për spanjollin Marc Marquez, kampionin e botës me Honda, që u rrëzua në xhirot e para, ashtu sikurse edhe patrioti i tij Maverick Vinales me Yamaha.

Edhe pse e nisi garën nga “pole”, Vinales ishte i avashtë dhe në mesin e saj u rrëzua. I katërti sot u rendit Michele Pirro me Ducati jo-zyrtar, ndërsa Dani Pedrosa me Honda e mbylli garën në vendin e pestë. Për Pedrosa kjo ishte gara e fundit në karrierën e tij në Moto GP.