Zbardhet dhe dokumentohet nga Komisariati i Policisë Kuçovë, vjedhja e një shume parash dhe disa bizhuterive në një banesë.
Vihen në pranga autori i dyshuar dhe përkrahësi i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi D. Ç., për vjedhjen e një shume parash dhe disa bizhuterive në banesën e tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i punës hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, brenda një kohe të shkurtër u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve L. M., 21 vjeç dhe E. B., 27 vjeç, të dy banues në Kozare, Kuçovë.
Shtetasi L. M. dyshohet se gjatë natës ka hyrë në banesën e shtetasit D. Ç., ku ka vjedhur një shumë parash dhe disa bizhuteri. Më pas, shtetasi E. B. e ka transportuar shtetasin L. M., me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, jashtë qytetit të Kuçovës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një portofol me një shumë parash, disa bizhuteri, dy telefona dhe 1 automjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të metejshme procedurale.