Pasi fitoi sërish mandatin në postin e presidentit në 2021, pas një pauze katërvjeçare si kryeministër, Vladimir Putin tha se pala e tij kishte “fituar një betejë të hapur dhe të ndershme”. Shumë gjëra dukej se po shkonin mirë. Vendi kishte shënuar rritje të popullsisë dhe jetëgjatësisë, njerëzit ishin më të pasur dhe më të lumtur.
Por gjatë dhjetë viteve të fundit, niveli i jetëgjatësisë është ulur dhe rusët po pakësohen në numër dhe po varfërohen.
Rusët sot janë më pak dhe më të varfër se 10 vite më parë
Goditja e parë ishte në ekonomi. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 u prit me brohoritje në Rusi. Por solli një valë sanksionesh dhe shkaktoi një kolaps të çmimeve të naftës. Recesioni i mëvonshëm goditi edhe më shumë ekonominë. Të ardhurat mesatare ranë, veçanërisht për gjysmën më të varfër të popullsisë, raporton abcnews.al.
Megjithëse PBB-ja për person u rrit deri në vitin 2018, të ardhurat mesatare nuk ishin si më përpara. Sipas një studimi, të ardhurat mesatare ishin ende rreth 10% më të ulëta se në kulmin e tyre në vitin 2012 dhe 2019.
Një tjetër raport, bazuar në sondazhet e njerëzve se sa të lumtur ndiheshin me jetën e tyre, nxorri në pah se që nga viti 2017 rusët ishin më pak të lumtur në krahasim me vitin 2012.
Më pas shpërtheu pandemia. Shkalla zyrtare e vdekjeve për shkak të Covid-19 në Rusi ende nuk dihet. Sipas vlerësimeve të vdekshmërisë të The Economist, numri real i vdekjeve është ndër më të lartat në botë.
Rreth 1.2 milion njerëz kanë vdekur, rreth dyfishi i shkallës në Amerikë dhe gati tre herë më shumë se në BE. E kombinuar me rënien e nivelit të lindjeve dhe migrimit, kjo do të thotë se popullsia e vendit është më e vogël tani se sa ishte në vitin 2012. Vetëm në vitin 2021, popullsia e vendit ra me 693,000, ose rreth 0.5%.
Lufta Rusi-Ukrainë i ka përkeqësuar edhe më shumë gjërat. Edhe pse të dhënat për numrin e viktimave nuk janë të sakta, numri i viktimave është më i vogël në krahasim me viktimat e Covid-19.
Numri i viktimave për shkak të luftës besohet se është në mijëra dhe ushtarët që janë vrarë janë kryesisht të rinj. Dhe sanksionet kanë goditur edhe më shumë ekonominë. Deri më tani, pasojat ekonomike kanë qenë më pak të dëmshme sesa pritej, por shumica e analistëve presin që situata të përkeqësohet gjatë muajve të ardhshëm, raporton abcnews.al.
FMN parashikon një “recesion të ashpër”. Instituti i Financave Ndërkombëtare, një grup bankierësh, parashikon një tkurrje prej 15%. Gjatë dekadës së fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto në ekonomitë e zhvilluara është rritur me 22%; në të gjithë botën është rritur me 41% (të dyja janë përshtatur me ndryshimet e çmimeve).
Nëse parashikimet për një tkurrje prej 15% janë të sakta, deri në fund të vitit ekonomia e Rusisë do të tkurret me 7% në krahasim me vitin 2012. Rusia nuk ka humbur vetëm një dekadë rritjeje – qoftë në ekonomi, shëndet apo lumturi.
Ajo po kthehet pas në të kaluarën.
Në shumicën e demokracive, një situatë e tillë do të ishte problematike për udhëheqësin e vendit. Por me kundërshtarët e tij që janë të burgosur ose në mërgim, zgjedhjet larg të qenit të lira dhe të ndershme dhe mediat nën kontrollin e tij, Putin nuk ndihet i frikësuar.
Por sigurisht nuk mund të themi të njejtën gjë për personat që janë nën udhëheqjen e tij.