MENU
klinika

Nga Mentor Kikia

Fitorja e Berishës dhe trilema e madhe e shqiptarëve!

05.04.2022 - 10:50

Nga Mentor Kikia

PD, për fat të keq, vazhdon të jetë ende ushqimi kryesor në mënunë e studiove të debatit televiziv. Dorëheqja(tërheqja) e Bashës nuk i shoi zjarret e përplasjeve. Enkelejd Alibeaj, i cili “trashëgoi” postin e kryetarit të PD-së, vetëm pak ditë para se gjykata të regjistronte aktetet e kuvendit të 11 Dhjetorit që i shfuqizon strukturat ekzistuese të kësaj partie, vazhdon të jetë një aktor, qoftë edhe duke guxuar ti kërkojë llogari Berishës në një mbledhje të grupit të deputetëve.

Ai madje ankimoi në gjykatën e shkallës së dytë këtë veprim të gjykatësit të Tiranës, Agron Zhukri. Basha, ndërkohë, ka nisur takime me mbështetës të tij pa ditur së ku do të dalë. Berisha e ka fituar këtë betejë dhe kjo s’ka më nevojë për procedura ligjore. Përpjekjet e Bashës dhe të pak mbështetësve të tij tashmë duken krejtësisht të pa justifikuara. Ndaj ky aksion, më shumë duket tashmë një strategji për të mbajtur gjallë kauzën anti-Berishë në Partinë Demokratike, sesa përpjekje serioze për të mbajtur drejtimin e saj.

PD po shkon në zgjedhje, por ajo nuk i ka lënë problemet prapa dhe as do ti lërë edhe pas zgjedhjeve. Ambasada e SHBA vazhdon të rikonfirmojë se ajo nuk do të ketë marrëdhënie me një parti, kryetari i të cilës është etiketuar person “Non Grata” nga SHBA.

Ndaj dhe Basha është ripozicionuar me një qëndrim edhe më radikal ndaj Berishës për këtë çështje, duke deklaruar se refuzon qoftë edhe ta takojë Berishën, duke e cilësuar “mbetje e regjimit të kaluar”. Lufta për ta larguar edhe Berishën vazhdon, megjithatë ajo nuk do ta pengojë atë ti organizojë zgjedhjet në PD dhe ti fitojë ato. Dhe këtu fillon faza e dytë e epopesë së tij.

PD, padyshim do të konsiderohet e bashkuar pas këtyre zgjedhjeve, por, me ca fraksione anti-Berishë nëpër këmbë, ajo nuk do të jetë më e madhe sesa ishte. Festa e mbështetësve të Berishës nuk do të zgjasë shumë, pasi menjëherë pasi të kenë zyrtarizuar fitoren ndaj Bashës do të duhet të bëjnë llogaritë e tjera.

Fitorja ndaj Bashës nuk i hyn në punë askujt, përveç vetë Berishës. Demokratëve u hyn në punë fitorja ndaj Ramës dhe Partisë Socialiste dhe këtu llogaritë nuk janë shumë optimiste. PD-së nuk i mjaftojnë votat e veta, që mesaduket as ato nuk do ti ketë të gjitha, por të shumë të tjerëve që nuk votojnë symbyllurazi. Pra, ata që quhen elektorati gri. A do ti frymëzojë ata Berisha? Kjo lë pak për të shpresuar, pasi ata nuk kanë të njëjtat motive si militantët e PD-së ti shkojnë Berishës nga pas.

Në zgjedhjet e ardhëshme ne do të kemi dy rivalë për pushtet. Socialistët me Ramën ne krye dhe opozitën, me gjasë një koalicion solid PD-LSI, apo Berisha-Meta. Trilemë më të madhe shqiptarët nuk kanë patur ndonjëherë para kutisë së votimit.

Por, edhe nëse biem dakord me veten dhe pranojmë se Berisha(dhe Meta) mund të mobilizojë aq votues sa të rrëzojë qeverinë e Ramës, pyetja tjetër që bëhet është: A është kjo ajo që i duhet Shqipërisë? Shqiptarët mund të refuzojnë ti japin një mandat të katërt të njëjtit kryeministër dhe të njëjtës qeveri me një barrë skandalesh mbi shpinë. Por me kë do ta zëvendësojnë? Berisha dhe Meta kanë patur gjithëçka në dorë dhe kanë bërë gjithëçka që mund të bënin, mirë apo keq, kjo është tjetër çështje.

Pyetja e tmerrshme që mund të na rrotullohet në kokë është: Të mbajmë Ramën për një mandat të katërt, sepse nuk duhet të rikthejmë Berishën dhe Metën, apo të rikthejmë Berishën dhe Metën, meqë duhet ta largojmë Ramën? Unë personalisht kësaj pyetjeje nuk i jap dot përgjigje. Thjeshtë më duket një udhëkryq fatal për një shoqëri që për 3 dekada me radhë rrotullohet rreth të njëjtëve njerëz, pa qenë në gjendje të prodhojë elita të reja.

Ndërsa ajo që di të them me siguri është se shqiptarëve nuk u intereson thjeshtë largimi i një qeverie të korruptuar, pa menduar(për pasojë) se me kë do ta zëvendesojnë. Shqiptarëve u intereson që një qeverisje të konsumuar e të korruptuar ta zëvendësojnë me një qeverisje të ndershme dhe me projekte te qarta, që nuk mendon për zgjedhjet e ardhëshme, por për dekadat e ardhshme.