Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 12”, ndërsa në pranga ka rënë një 41-vjeçare.
Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasja me inicialet E. Sh., banuese në Sarandë, e cila ishte duke transportuar me automjetin e saj tip “Honda”, nga Saranda për në Tiranë, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
NJOFTIMI I POLICISE
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportonte emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 41-vjeçarja.
Sekuestrohet një automjet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 12”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. Sh., 41 vjeçe, banues në Sarandë.
Në aksin nacional Tepelenë – Krahës, në vendin e quajtur “Majkosh”, shtetasja E. Sh. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin e saj tip “Honda”, nga Saranda për në Tiranë, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.