Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat u përkasin viteve 1942-1945, ku bëhet fjalë për Ludovik Nikajn, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim në Tiranë, ku punonte si elektroteknik, një nga të rinjtë komunistë të orëve të para, i cili më datën 2 maj të vitit 1942, teksa kishte shkuar në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij, Qefsere Bekaj, u arrestua nga forcat italiane dhe u dërgua në Kuesturë për t’u marrë në pyetje, në lidhje me veprimtarinë e aktivitetin e tij në radhët e Partisë Komuniste, por gjatë asaj kohe që ai mbahej i izoluar në qeli, me urdhër të Qarkorit Komunist të Shkodrës, u vendos eliminimi i tij, pasi dyshohej se ai kishte treguar shtëpitë dhe bazat ku strehoheshin komunistët, si dhe emrat e krerëve kryesorë të Partisë Komuniste.
Nga: Dashnor Kaloçi
Si u krye aksioni i njësiteve guerilje të qytetit të Shkodrës me në krye Perlat Rexhepin, (‘Hero i Popullit’), duke qëlluar me bomba dhe granata dore godinën e Kuesturës ku Ludoviku mbahej i izoluar dhe transferimi i tij nga autoritetet italiane për në Itali, duke e sistemuar në një kamp internimi afër Modenas. Kthimi i Ludovikut në Shqipëri pas disa kërkesash që ai bëri pranë misionit ushtarak shqiptar në Romë dhe kërkesa e tij për t’u takuar me Enver Hoxhën, i cili nuk pranoi ta priste dhe dënimi i tij me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë, pas akuzave të bëra ndaj tij, si: “Provokator, agjent i SIM-it dhe tradhtar i PKSH-së”, i cili kishte treguar para italianëve, për bazat ku fshiheshin Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Perlat Rexhepi, Ali Demi, Beqir Minxhozi, Gjystina Sata etj.
Dosja e plotë e procesit gjyqësor ndaj Ludovik Nikajt, për të cilin Enver Hoxha ka shkruar gjatë në librat e tij dhe për të u realizua edhe filmi “Vendimi” nga Kinostudio “Shqipëria e Re” e asaj kohe, si dhe dëshmitë e nipit të tij, Luigj Nikaj (Kastrioti), i cili tregon se të gjitha akuzat ndaj xhaxhait të tij, ishin të montuara nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, me qëllim për të mbuluar prapaskenat që ata kishin bërë ndaj njëri-tjetrit në periudhën e Luftës, siç ishte vrasja e Qemal Stafës etj.!
Është periudha e pushtimit italian të vendit, kur ‘Veroniku’, një i ri komunist 22-vjeçar, shkon në qytetin e Shkodrës dhe aty papritmas arrestohet nga forcat e karabinierisë italiane, të cilat fillimisht i kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe pasi dyshojnë në përgjigjet e tij, e arrestojnë dhe e dërgojnë menjëherë në Kuesturë, për ta marrë në pyetje.
Fillimisht ai nuk pranon të tregojë, por pasi ndaj tij italianët bëhen gati të fillojnë torturat, duke e goditur me disa pëllëmbë në fytyrë, ‘Veroniku’ nis të ‘zbërthehet’, duke treguar fillimisht emrin e tij të vërtetë dhe arsyen se përse kishte shkuar në atë qytet, si dhe për gjithçka tjetër që ata e pyesin, duke u dhënë kështu autoriteteve të Kuesturës, të gjithë emrat e shokëve të tij komunistë, pseudonimet e tyre, krerët e grupeve që vepronin në mënyrë ilegale dhe udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste Shqiptare, celulat e bazat ku ata fshiheshin e strehoheshin, si dhe teknikën e Partisë, njerëzit që ata kishin të infiltruar deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme etj..
Pas kësaj, në bazë të një plani të detajuar mirë, sipas të dhënave që morën prej tij, Kuestura fillon goditjet e reprezaljet ndaj grupeve komuniste, duke arrestuar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe duke bastisur disa nga bazat e saj, ku ata gjetën edhe mjaft dokumente me shumë vlerë, të cilat dëshmonin qartë, rreth aktivitetit e veprimtarisë subversive të tyre.
Pas kësaj, qarkori komunist i Shkodrës, i vënë në dijeni rreth asaj që kishte ngjarë me ‘Veronikun’, nëpërmjet njeriut të tyre që vepron te i kamufluar brenda radhëve të efektivëve të Kuesturës, mblidhet urgjent në një mbledhje të jashtëzakonshme dhe pasi analizon situatën, për të parandaluar një goditje më të madhe nga autoritetet italiane, vendos që të kryente sa më shpejt një aksion mjaft të rrezikshëm, për eliminimin fizik të shokut të tyre komunist, spiunit ‘Veroniku’, i cili pasi kishte mundur të futej si provokator dhe agjent i SIMit në radhët e grupeve antifashiste, kishte tradhtuar idealet komuniste, duke treguar shokët, bazat e tyre, teknikën e shtypin e Partisë, etj., e deri udhëheqjen më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare.
Aksioni arrin të kryhet nga ana e njësiteve guerilje të atij qyteti, të cilat afrohen te godina e Kuesturës në qytetin e Shkodrës dhe hedhin disa bomba e granata dore te zyrat e saj e te qelia ku mbahej i izoluar ‘Veroniku’, i cili shpëton paq, duke mbetur i plagosur me plagë të shumta në fytyrë dhe në të gjithë trupin që i kullon gjak, nga ciflat e granatave, që hodhën shokët e tij guerilas. Pas këtij aksioni, ku atentati nuk përfundoi me sukses, autoritetet italiane, nën pretekstin e kurimit (por në fakt për ta ruajtur atë), e marrin ‘Veronikun’ dhe e nisin menjëherë për në Itali, ku ai deri në mbarimin e Luftës, jetoi në kushte të mira, nën masa të rrepta sigurie.
Por, pas shumë kohësh, aty mbërrin një njësit i dërguar enkas nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët e rrëmbyen ‘ Veronikun’, dhe e sjellin në Shqipëri, ku ai detyrohet të japë llogari para ‘gjyqit të popullit’, për ‘tradhtinë’ që kishte bërë e në fund merr dënimin e merituar.
Kjo është pak a shumë një sinops i filmit shqiptar “Vendimi”, të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1984, me regjisor Kristaq Dhamo (“Artist i Popullit”) dhe skenar të Spiro Dede e Neshat Tozaj, ku interpretonin disa nga aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Ndriçim Xhepa, “Veroniku”, Serafin Fanku (“Filipi”), Bujar Lako, Fane Bitaj, Guljelm Radoja, Xhevdet Ferri, Vangjush Furxhi, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Eva Alikaj, Petrit Malaj, Edmond Budina, Ndrek Shkjezi, Koço Qendro, Liza Laska etj.
Ky film, i cili asokohe dhe më pas, (deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991), pati një jehonë dhe bëri bujë të madhe, jo vetëm pse ai bazohej mbi një ngjarje të vërtetë mjaft të njohur, të ndodhur në periudhën e pushtimit fashist të vendit, por edhe për faktin se ishte herë e parë, që në një vepër të tillë artistike, trajtohej gjerësisht figura e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhës, si dhe ajo e disa prej figurave më të njohura të Partisë Komuniste Shqiptare të periudhës së Luftës, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Fiqret Shehu etj.
Po kështu, filmi pati një jehonë edhe për faktin se për ngjarjen në fjalë, pra për “tradhtinë” e Ludovik Nikaj dhe Zef Ndojës, gjë e cila çoi jo vetëm në “dekonspirimin dhe goditjen e bazave kryesore të Partisë Komuniste”, por edhe të vrasjes së Qemal Stafës, Enver Hoxha, ishte ndalur e kishte shkruar gjatë në librat e tij me kujtime, që kishin filluar të botoheshin që nga fillimi i viteve ‘80-të.
Po a i qëndronte skenari i këtij filmi ngjarjes që lidhej me të riun komunist, Ludovik Nika e shokun e tij, Zef Ndoja, si dhe pasojat që erdhën pas arrestimit të tyre? Që në fillim duhet thënë, se: bazuar mbi dokumentet arkivore që i përkasin ngjarjes në fjalë, të cilat janë bërë publike pas shembjes së regjimit komunist dhe kryesisht këto vitet e fundit, skenari i filmit “Vendimi”, jo vetëm që nuk i përgjigjet aspak së vërtetës, por ajo vepër artistike e propaganduar me bujë nga propaganda zyrtare e kohës, rezulton të jetë bërë enkas, me porosi nga “lart”, nga vetë Enver Hoxha, me qëllim për të fshehur dy nga ngjarjet më të përfolura të periudhës së pushtimit të vendit, siç ishte vrasja e Qemal Stafës dhe dekonspirimi i bazës (shtëpia e Shyqëri Këllezit, shoqëruesi i Enverit, gjatë periudhës që ai ishte ilegal), ku veç të tjerash mbahej edhe dokumentacioni i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, të 8 nëntorit 1941, ku Enver Hoxha rezultonte jo si sekretar i përgjithshëm, por vetëm si i ngarkuar me problemet e financave të Partisë.
Nisur nga sa më sipër, e para dhe më kryesorja që hedh poshtë të gjithë alibinë e Enver Hoxhës, me anë të filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, nuk u rrëmbye në Itali nga shërbimet sekrete shqiptare (Zbulimi Shqiptar i Sigurimit të Shtetit) dhe u soll i lidhur në atdhe për të dhënë llogari para gjyqit të popullit për tradhtinë e tij, ashtu siç paraqitet ‘Veroniku’ në film, por në bazë të dokumenteve arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (ku pjesa më e madhe e tyre publikohen për herë të parë në këtë shkrim nga Memorie.al), ai erdhi vetë në Shqipëri, me dëshirën e tij.
Madje duke shkuar disa herë pranë misionit ushtarak shqiptar, që ishte asokohe në Itali, i kryesuar nga Halim Budo, ku bashkangjitur kërkesës për t’u kthyer në atdhe, Ludovik Nikaj kishte paraqitur edhe një dokument (vijësjellje), të lëshuar e firmosur nga komunistët italianë, që drejtonin celulën në kampin ku ai ishte mbajtur i internuar, ku ata shënonin, se ai kishte pasur një sjellje shembullore si militant komunist. Një tjetër gjë që përsëri hedh poshtë alibinë e filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, pasi erdhi në Shqipëri, i shkroi një letër Enver Hoxhës, ku i kërkonte atij që ta priste në takim, për të sqaruar disa gjëra që kishin ndodhur në Shqipëri, gjatë periudhës së Luftës, ashtu dhe pas saj në Itali.
Por Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e priti “Veronikun” në takim, por ai iu dha gjyqit ushtarak, i cili e dënoi me vdekje dhe u ekzekutua, pa mundur të takohej me ‘Komandantin”! Po t’i referohemi në tërësi ngjarjes në fjalë, logjika më e thjeshtë na thotë se: nëse ai do të ndihesh sadopak fajtor, nuk kishte përse vinte në Shqipëri, por mund të qëndronte në Itali, apo mund të shkonte në çdo vend tjetër në Perëndim si azilant politik, ashtu siç dhe shkuan asokohe eksponentë të tjerë të Partisë Komuniste Shqiptare që u akuzuan si tradhtarë nga Enver Hoxha, siç ishte Sadik Premtja etj., apo dhe krerët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi etj.
Fakti që “Veroniku” (Ludovik Nikaj) nuk pranoi të qëndronte në Itali, ku ai jetonte i qetë me bashkëshorten e tij (Qefsere Bekaj), tregon se ai ndihej i pastër dhe nuk e vriste ndërgjegjja mbi asgjë nga e kaluara e tij gjatë periudhës së Luftës, siç do të dëshmonte me shumë sinqeritet, gjatë procesit të tij gjyqësor.
Por si për ironi të fatit, Ludoviku, erdhi vetë në Shqipëri, në fillimin e vitit 1945, si për t’i bërë një “dhuratë” Enver Hoxhës, në alibinë që ai (Enveri) do të krijonte vite me radhë për vrasjen e Qemal Stafës, në disa nga librat e tij dhe së fundi në vitin 1984, duke dhënë ‘miratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ku asokohe u angazhuan kineastët më të mirë të Shqipërisë së asaj kohe.
Një tjetër gjë, që hedh poshtë përsëri alibinë e Enver Hoxhës dhe gjithashtu edhe të historiografisë e propagandës zyrtare mbi vrasjen e Qemal Stafës pas “tradhtisë së Ludovik Nikaj e Zef Ndojës”, është dhe fakti, se Ludoviku u arrestua nga italianët më datën 2 maj të vitit 1942, pikërisht atë ditë që Beqir Minxhozi kishte marrë me qira dhe kishte nënshkruar kontratën me të zotin e shtëpisë, ku do strehohej e do të vritej më pas Qemal Stafa, më datën 5 maj 1942.
Një fakt tjetër që hedh dritë mbi arsyet e vërteta që e çuan Enver Hoxhën, të jepte ‘miratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ishin edhe raportet aspak të mira që ai kishte prej vitesh, me motrat e Qemal Stafës, të cilat sipas edhe ditarit të Nexhmije Hoxhës, i bërë publik kohët e fundit, jo vetëm që nuk e honepsin dot Enver Hoxhën, por ato nuk denjonin aspak edhe për ta pritur atë, kur ai së bashku me Nexhmijen, shkonin te familja e tyre me rastin e 5 majit, ditës së dëshmorëve.
Ndërsa të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, Memorie.al po publikon disa dokumente arkivore që botohen për herë të parë, të cilat dëshmojnë qartë dhe më së miri mbi manipulimin dhe deformimin e disa prej ngjarjeve më të përfolura të periudhës së Luftës Antifashiste, siç është dhe “tradhtia” e Ludovik Nikaj e Zef Ndojës.
Relacioni i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, dega e Durrësit, dërguar Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë, për Ludovik Nikajn
SEKSIONI I MBROJTJES SË POPULLIT PËR DURRËSIN
VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT
Durrës më 29.3.1945
Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit
Tiranë
Të shoqëruar ju përcjellim të dënuarin Ludovik Nika, i biri i Nikës dhe i Shaqes, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, rruga Çerçiz Topulli Nr. 33, me profesion elektroteknik. Gjithashtu e bashkëshortja e tij Qefsere Beka, e bija e Cenit dhe e Kumes, nga Tirana dhe banuese në Tiranë, Rruga “Tafaj” Nr. 53, me profesion studente. Të lartpërmendurit vijnë nga Italia ku kanë qenë të internuar në Xakona (provincë e Modenës). Arrestimi ka ndodhur në Shkodër në fushën e Çelës, në maj të 1942. Arrestimi u krye pse isha në radhët e Partisë Komuniste dhe për këtë më arrestuan bashkë me Qefseren. Arrestimi m’u bë nga policia italo-shqiptare, kur isha duke hypur në makinë për të shkuar në Tiranë./Memorie.al