Emri i Fan Nolit është i pashkëputur me atë, Shqipëri.
Kontributi i tij i jashtëzakonshëm shenjoi letërsinë, filozofinë, besimin, politikën dhe historinë e këtij vendi të vogël e tragjik, gjithmonë nën thundrën e fuqive të mëdha. E ndritur qe qasja e Fan Nolit në poezinë shqipe, në përkthimin e gjenialëve të letërsisë, sikur edhe krijimtaria e tij, në pështatjet e shërbesave fetare në gjuhën shqipe. Po ashtu, ideja e tij për kombin dhe për aspiratat e një shteti… ende me gjurmët e errëta të osmanizmit – ideali i tij i shqiptarizmës, nuk u shua për asnjë çast…/Konica.al
“Ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, e gjetëm. E vetmja gjë që bëmë, është që atë patriotizmë që ekzistonte midis shqiptarëve u përpoqmë t‘a organizojmë, t‘a kanalizojmë. Tashi, arësyeja për të cilën na vajti puna mbarë, ishte se kishim një popull me të vërtetë i cili e deshte Shqipërinë. Edhe një popull i cili, jo vetëm kishte patriotizmë, virtytin e patriotizmës, por kishte edhe disa virtyte të tjera, nga të cilat do të numëronj vetëm një, të cilën na e kanë thënë që të gjithë të huajt të cilët kanë vizituar Shqipërinë. Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit Muhamed Aliu, u bëri këtë lëvdatë shqiptarëve: Sot, tha, bëmë punën më të bukur që qasmë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Ky është i vetmi vend në këtë botë i cili ka një shumicë muhamedane edhe na dërgon këtu si përfaqësonjës një peshkop ortodoks” – janë fjalët e mendimtarit, teologut e politikanit Fan Noli.
“Vatra”, – shkruante “Dielli”, – është emri i shoqërisë së re të bashkuar, është emri me të cilin shoqëria federale e re, për të parën herë, shfaqet si një shoqëri e organizuar, e përgjithshme, e kolonive shqiptare të Amerikës.
Emri i plotë i shoqërisë së re të bashkuar do të ishte Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” (në anglisht: “The Albanian Federation of America “Vatra”). Duke sjellë në shprehje argumentet që Noli paraqiti për emërtimin e Federatës Shqiptare të sapokrijuar, në një artikull redaksional të gazetës “Dielli” të datës 4 prill, 1912 thuhej:
“Përmbi gjithë kombet e tjera, shqiptari ka më tepër të drejtë të përdorë fjalën “Vatra” si të tijën. “Vatra” fjal’ e butë, e qetë, po me sa të madh kuptim! P.sh,: Ku pi sisë rritet, flet dhe formohet si njeri me ndjenja e zakone shqiptari? Ku njeh njeri-tjetrin dhe pastaj Kombin dhe Atdheun e vet? Ku dëgjon më të bukurat tregime për historinë dhe fisnikërinë e tij? Ku ëndërron për punën, lumturinë e fatbardhësinë e tij? Ku e ka qendrën Shqiptari? Përse rron, punon, mundohet, përpiqet, lufton dhe më në fund vdes?
Për vatrën dhe gjithë për vatrën! Edhe kur themi “Vatra” nuk përmendim vetëm atë copë vend tek bëjmë zjarr e mblidhemi rrotull tok, po e marrim me një kuptim më të lartë e më të shënuar si rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi. Shqiptari luftën për Kombin e tij e quan “Luftë vatre”.”
…Dita e sotme i dha emrin e shqiptarit të ndritur, një rruge në Nju Jork: Fan Nolit!
Lajmi është bërë me dije nga shoqëria “Besa-Besën”, përmes faqes në “Facebook”.
Shoqata shkruan se rruga në Bonx, do të mbajë emrin e figurës së ndritur të kombit shqiptar, ndërsa ka ndarë edhe disa foto nga ceremonia e mbajtur një ditë më parë.
“Sot patëm nderin e veçantë, të marrim pjesë në një nga ngjarjet më madhështore ndodhur ndonjëherë, këtu në diasporën shqiptare të Amerikës.
Nga sot, një nga rrugët në Bonx, Nju Jork do të mbajë emrin e figurës së ndritur të kombit shqiptar Fan Noli! Faleminderit për të gjithë punën e palodhur (…) që kanë mbështetur këtë nismë, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritet lokale, për ta bërë realitet këtë ditë, që do të mbetet në histori për mbarë shqiptarët kudo që jetojnë”, – është mesazhi nga shoqata.
Ndërsa Elmi Berisha, kryetar i organizatës “Vatra”, tha:
“Sot është një ditë e shënuar, për kombin shqiptar. At’ Fan Noli, një prej shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, përjetësohet me emrin e një rruge në Nju Jork.
Sot për çdo shqiptar është një ditë e paharruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare dhe shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike, në kujtesën tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shërbimi i At’ Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale.
At’ Fan Noli përktheu në shqip shërbesat e Kishës Ortodokse, përktheu kryevepra të letërsisë botërore, shkroi poezi politike, ishte klerik, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, deputet dhe Kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë, drejtues i “Diellit” e themelues i “Vatrës”, një figurë e padiskutueshme poliedrike e kombit shqiptar.
Kjo ditë e shenjtë, përkon me 110-vjetorin e “Vatrës”.
At’ Fan Noli ishte një përkthyes i pashoq, erudit i rrallë, një filozof i mprehtë, poet i zjarrtë, historian i konfirmuar, politikan i shquar dhe një fetar i bekuar. Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij. Askush si ai, nuk jetoi për të mirën e popullit, shtetit e kombit shqiptar.
Lavdi përjetë, veprës dhe kujtimit të At Fan Nolit”.