Policia e Tropojës ka zbuluar se një parcelë me kanabis monitorohej me kamera nga disa persona. Në kuadër të operacionit të koduar “Sofistikimi” në pranga u vu një 51-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sipas policisë personat kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike. Këta dy persona, sipas policië gjithashtu janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.
“Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Agron Hoxhaj 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit Bekim Çela, 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.
Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën”, thuhet ne njoftimin e policise.
Njoftimi i policise
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.
Kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim autori tjetër.
Këta shtetas janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.
Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të kryera në bashkëpunim.
Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.
Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.
Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.